×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Imri Ahmeti e punëson militantin e LDK-së në një shkollë, i ndan edhe subvencione për biznesin privat

    Insajderi
    23 November 2023 - 14:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Me Kampionin!” është përshkrimi i fotos ku Adil Hashani shfaqet krah për krah me kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmetin. Adil Hashani është Kryetar i nëndegës II i LDK-së në Gadime të Ulët të Lipjanit i cili është punësuar mësimdhënës i Edukatës Fizike në këtë komunë. Nuk mjaftoi vetëm me punësim, militanti i LDK-së fitoi edhe subvencionim nga pushteti i Ahmetit për biznesin e tij privat, shkruan Insajderi.

    Më 25 qershor të këtij viti, në mbledhjen e mbajtur të Nëndegës së II-të të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gadime të Ulët është zgjedhur kryetar i kësaj nëndege, Adil Hashani.

    Drejtoria Komunale e arsimit në Lipjan me datën 18 shtator kishte hapur konkurs për mësimdhënës në disa shkolla.

    Me datën 14 nëntor të këtij viti është publikuar lista e kandidatëve të pranuar.

    Në krye të listës figuron tashmë Kryetari i nëndegës II të LDK-së në Gadime të Ulët, Adil Hashani. Hashani është pranuar në pozitën e mësimdhënësit të Edukatës Fizike në Gadime të Lipjanit.

    Hashani përmes rrjeteve sociale e shfaq hapur afërsinë me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmetin.

    Në profilin e tij privat Hashani, e shfaq mjaft shumë përkrahjen e tij ndaj LDK-së dhe pushtetit të Imri Ahmetit. Madje në njërin postim, Imri Ahmeti shihet përkrahë Adil Hashanit.

    “Me Kampionin”, thuhet në postimin ku shihen dyshja Ahmeti dhe Hashani.

    Përveç se iu sigurua vendi i punësimit, militantit të LDK-së në Lipjan iu dha edhe subvencion nga pushteti i Imri Ahmetit. Më 5 tetor Hashani ka publikuar një postim ku ka falënderuar Komunën për subvencionimin me mjete profesionale një biznes të tij privat.

    Faleminderit Komunës për mbështetjen qysh ne fillimet e biznesit tonë dhe që po e vazhdon të na subvencionojë me mjete profesione të cilat po na e lehtësojnë punën”, kishte shkruar Hashani në profilin e tij.

    Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me Kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmetin, por, i njëjti nuk i ka kthyer përgjigje Gazetës.

    Gjithashtu Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë Adil Hashanin, i cili e mohoi këtë gjë, duke thënë se pozitën si mësimdhënës e ka fituar me dijen e tij.

    “Sa i përket punësimit tim nuk ka të bejë asgjë me partit politike , Unë jam i përgatitur rreth profesionit tim sepse kam të përfunduar masterin e edukimit fizik dhe i sportit, jam i kualifikur si trajner i fitnesit dhe punoj si trajner i fitnesit me klientë , kam punuar edhe si trajner i futbollit ne Kf -Gadime i grupmoshav të reja dhe kam punuar dy vite si trajner i skijimit në Brezovic. Pozita ime si kryetar i nëndegës Ldk-së në Gadime, nuk ka të bëj puna ime asgjë me parti politike , këtë vend e kam fituar të gjithën me dije”, tha ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark