×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Instituti “Musine Kokalari” i kërkon Qeverisë të distancohet nga gjuha e Bislimit përdorur ndaj Musliu Shoshit

    Insajderi
    06 April 2023 - 16:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Është i dyti në qeverinë kosovare dhe kryenegociator në Dialogun e Brukselit. Besnik Bislimi i ballafaquar nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Soshi, me një zotim të tij – se po qe se Qeveria e Kosovës do ta ndryshonte qëndrimin për Asociacionin e Komunae të banuara me Shumicë Serbe, dhe atë qoftë edhe pa kompetena ekzekutive, ai do të dorëhiqej nga posti i krynegociatorit – e ofendoi këtë të fundën me fjalën se “epshi i juaj për të marrë vëmendje është i pakuptimtë”. Fjala epsh e cila semantikisht ka kuptimin e “dëshirës së zjarrtë seksuale” zgjoi reagime duke qenë se kjo fjali ka konotacion seksual dhe pyetja ishte për një zotim të tij qeveritar, shkruan Insajderi.

    Në lidhje me këtë gjuhë të Bislimit ka reaguar edhe Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” që drejtohet nga ish-Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, të cilët kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të distancohet nga gjuha e Bislimit përdorur ndaj deputetes së PDK-së.

    “Zëvendës Kryeministri Besnik Bislimi në një ballafaqim të sotëm në seancë parlamentare me deputetën e PDK-së Ariana Musliu Shoshi, përdori gjuhë seksiste e të papranueshme për Kuvendin, por edhe opinionin e gjerë. Ai i tha deputetës: ‘Po ashtu është i pakuptimtë epshi i juaj për me marrë vëmendje publike’. Një gjuhë e tillë përveç se mbulon mungesën e argumenteve, ravijëzon një pasqyrë jashtëzakonisht problematike për gratë e angazhuara politikisht. Bislimi duket ta ketë përdorur këtë terminologji duke e përkthyer termin ‘attention whore’ nga anglishtja. Pra ‘kurvë vëmendjeje’. Theksi këtu duhet vënë te termi kurvë. Në fjalorin e gjihës shqipe fjala epsh ka konotacion ekskluzivisht seksual. Sipas përkufizimit epshi është ‘Dëshirë e madhe për të plotësuar kënaqësitë trupore, zjarr i madh i mishit e i gjakut. Rrjedhimisht askush nuk mund të ketë epsh për angazhim në politikë apo edhe për vëmendje, përveç për plotësimin e kënaqësive trupore seksualisht”.

    “Ndërlidhja e angazhimit politik të një gruaje me fjalën epsh është denigrim i gruas në publik, dhe investon në paragjykimet tashmë ekzistuese patriarkale kulturore të shoqërisë sonë. Gruaja e angazhuar publikisht shihet me dyshim. Gati se si e përdalë. Kështu po e shihka edhe Besnik Bislimi. Ta mendosh se ky është zëvendës kryeministër i Qeverisë së Republikës. Ta mendosh se kjo është e deklaruar si Qeveri progresive që vjen nga një parti deklarativisht socialdemokrate (që si për ironi sapo kanë përfunduar aktivitetet tradicionale “Marsi sjell pranverën GRATË BARAZINË”). Ta mendosh që z. Bislimi është pedagog, pra që do të duhej të shpërndajë dije tek studentët”.

    “Instituti Musine Kokalari i kërkon zëvendës kryeministrit të tërhiqet menjëherë nga këto sulme e ofendime me bazë gjinore. Kërkojmë nga qeveria e Kryeministri që po ashtu të tërhiqen nga kjo gjuhë seksiste. Kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit që të jetë më i vendosur në dënimin e përdorimit të gjuhës së tillë në seancat e Kuvendit. Një prej çështjeve shqetësuese në Kosovë që po zë vend edhe në raportet ndërkombëtare për Kosovës është rritja e dhunës ndaj gruas. Edhe përdorimi i kësaj gjuhe klasifikohet si dhunë ndaj gruas. Prandaj ndaluni!”, përfundoi instituti.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark