×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Intervistë | Onokologia Goga bën thirrje për kujdes, stadet e hershme të kancerit të gjirit janë pa simptoma

    Insajderi
    22 October 2024 - 11:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Tetorin Rozë, situata e kësaj sëmundjeje në Kosovë mbetet një nga sfidat kryesore shëndetësore për gratë. Sipas Onkologes së QKUK-së, Vildana Goga Çmega, kanceri i gjirit vazhdon të jetë një prej llojeve më të zakonshme të kancerit, edhe pse trendet e fundit tregojnë një rënie të lehtë të rasteve të reja në vitin 2023.

    Goga thekson rëndësinë e zbulimit të hershëm, duke vlerësuar se ndërgjegjësimi për mamografinë dhe vetëkontrollin ka përmirësuar situatën, me një rritje të numrit të grave që paraqiten për ekzaminime të hershme.

    Sfidat që mbeten lidhen me përballimin ekonomik të trajtimit dhe infrastrukturën e QKUK-së, por megjithatë, vonesat në trajtim për shkak të mungesës së pajisjeve apo stafit janë të rralla.

    VIDEO

    Ajo bën thirrje për kontroll të rregullt dhe vetëdijesim të vazhdueshëm, duke theksuar se diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.

    Gjatë bisedës, Onkologia Goga ka ofruar një pasqyrë të gjendjes aktuale dhe strategjitë e Kosovës për të luftuar këtë sëmundje, duke u fokusuar në sfidat kryesore dhe përmirësimet e nevojshme.

    Intervista e plotë:

    Gazeta Insajderi: Si është situata aktuale e të prekurve me kancer të gjirit në Kosovë? A ka pasur një rritje të rasteve vitet e fundit?

    Goga: Në Kosovë, si dhe në mbarë botën kanceri i gjirit vazhdon të jetë një prej sëmundjeve më të përhapura tek gratë me një rritje të lehtë të rasteve nder vite. Analizuar sipas viteve përqindja e rasteve të reja të kancerit të gjirit më e larta ka qenë në vitin 2019 (19.0%) në vitet 2018, 2021 dhe 2022 ka qenë 17.9%, 17.6% dhe 17.5%, në vitin 2020 me 16.9%, ndërsa më e ultë në vitin 2023 me 15,0%, ndërsa këtë vit numri i rasteve te reja pritet te arrij deri diku ne 460 raste te reja.

    Gazeta Insajderi: Çfarë mekanizmash ekzistojnë për diagnostikim të hershëm në Kosovë? A janë gratë të informuara mjaftueshëm për rëndësinë e mamografisë dhe vetëkontrollit?

    Goga: Republika e Kosovës do të zhvilloj hapat konkret në përputhje me dokumentet strategjike ndërkombëtare si dhe praktikat e mira shëndetësore për realizimin e objektivave në luftën kundër kancerit të gjirit, duke hartuar programe për zbulim të hershëm. Ndërsa nga metodat deri sot te përdorura në Kosovë për diagnostikim të hershem janë Ultrazeri, Mamografia, edhe në raste të veçanta edhe teknika imazherike më të avancuara. Viteve të fundit ka pasur dukshëm rritje të numrit të grave që janë paraqitur për mamografi dhe ultrazë, gjë që ka ulur stadet e kancerit të gjirit të për 10% në favor të stadeve të hershme.

    Gazeta Insajderi: Sa e përballueshme është trajtimi i kancerit të gjirit për pacientet kosovare, duke pasur parasysh kushtet ekonomike dhe shërbimet shëndetësore në vend?

    Goga: Trajtimi i kancerit të gjirit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, siç është edhe Kosova, është sfidë. Por krahasuar me vitet e kaluara është përmirësuar dukshëm. Trajtimi gjithëpërfshirës thuhet se është i disponueshëm në më shumë se 90% vetëm ne vendet me të ardhura të larta.

    Gazeta Insajderi: A përballen pacientet me vonesa në trajtim për shkak të mungesës së pajisjeve ose stafit mjekësor në QKUK? Sa e gatshme është infrastruktura mjekësore në Kosovë për të përballuar këtë sëmundje?

    Goga: Në klinikën e Onkologjisë vonesa për trajtim me terapi specifike onkologjike nuk ka, e aq me pak për shkak të mungesës se stafit. Ndodhin ndonjëherë vonesa në furnizim, por që janë raste të rralla. Sa i përket infrastrukturës, me renovim të objektit klinika posedon kushte optimale për përballje me numrin e pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje.

    VIDEO

    Gazeta Insajderi: A ka mungesë barnash ose trajtimesh specifike për kancerin e gjirit në Kosovë? Si ndikon kjo te përparimi i sëmundjes tek pacientet që trajtohen këtu?

    Goga: Mungesa e disa trajtimeve specifike për kancer të gjirit që është për momentin, në një të ardhme të afërt do plotësohet. Ndërsa në asnjë mënyrë nuk lejojmë që shkak i mungesave të tilla të ketë pasoja në sëmundje tek pacientët.

    Gazeta Insajderi: Sa e përfshirë është shoqëria kosovare në mbështetjen dhe ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit? A mendoni se ka ende tabu dhe heshtje përreth kësaj sëmundjeje?

    Goga: Në përgjithësi, ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit në Kosovë është në rritje, nga vet fakti i paraqitur më lartë që stadet e zbulimit të kancerit të gjirit tani janë më të hershme. Përqindja e rasteve të diagnostikuara në stadin I dhe II nga viti 2018 deri në vitin 2021 ka shënuar rritje nga 51% në 58%, falë vetëdijesimit dhe përparimeve në menaxhimin diagnostik të rasteve. Sot Kosova mund të quhet storie suksese ngase vetëm përmes vetëdijesimit të popullatës, informimit të bollshëm mediatik, arrin që numrin e rasteve të avancuara me kancer të gjirit ta ulë për rreth 10%. Ka tabu dhe stigmatizime, në raste të rralla!

    Gazeta Insajderi: Si ndikon diagnoza e vonuar tek pacientet kosovare? A ka raste kur pacientet vijnë në faza të avancuara të sëmundjes për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit ose frikës nga vizita te mjeku?

    Goga: Diagnoza e hershme është vendimtare për të rritur normat e mbijetesës. Diagnoza e vonuar e kancerit të gjirit ka pasoja serioze për shëndetin dhe mundësinë e shërimit të pacienteve. Pacientët me diagnozë të vonuar kanë më shumë gjasa të përballen me trajtime intensive dhe radikale. Ndodhin raste nga neglizhenca më shumë që nuk paraqiten tek mjeku pasi stadet e hershme të kancerit të gjirit janë pa simptoma që do e kishin shtyre gruan që të vizitohet tek mjeku përkatës.

    Gazeta Insajderi: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen pacientet me kancer të gjirit në Kosovë në aspektin emocional dhe psikologjik? A kanë mbështetje të mjaftueshme në këtë aspekt?

    Goga: Pacientët me kancer të gjirit përballen me një gamë të gjerë sfidash emocionale dhe psikologjike, të cilat shpesh ndikojnë thellë në cilësinë e tyre të jetës. Këto sfida mund të përfshijnë: frikën, ankthin, depresionin, izolimi social, ndryshimet trupore dhe vetëvlerësimi i ulët, frika nga e ardhmja, etj etj. Besoj se shumica e pacientëve kanë mbështetje të fortë nga familja, miqtë dhe shërbyesit profesionale si terapistët dhe grupet tjera mbështetëse nga organizatat e grave të mbijetuara nga kanceri.

    Gazeta Insajderi: Në cilat fusha të kujdesit dhe trajtimit të kancerit të gjirit mendoni se QKUK ka nevojë për përmirësime të menjëhershme?

    Goga: Për klinikën e Onkologjisë nevoja është për plotësim të listës esenciale me terapi për disa lloje të veçanta të kancereve, ndërsa në nivel të QKUK-së nuk kam njohuri. A keni ndonjë mesazh për gratë në Kosovë lidhur me rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe kujdesit ndaj shëndetit të tyre në luftën kundër kancerit të gjirit? Kontrollet e rregullta për kancerin e gjirit janë vendimtare për zbulimin e hershëm dhe trajtimin efektiv. Inkurajoj femrat qe të kryejnë monografinë sipas rekomandimeve te moshës dhe faktorëve te rrezikut qe i kane prezent , të konsultohen me mjekun për çdo shqetësim. Të kenë kujdes për shëndetin – zbulimi i hershëm mund të shpëtojë jetë!

    Gazeta Insajderi: A mund të na thoni se është numri total i pacientëve të prekur nga sëmundja e kancerit, dhe cilat janë llojet më të shpeshta?

    Në vitin 2023, në regjistrin spitalor të Klinikës së Onkologjisë janë regjistruar gjithsej 2127 raste të reja. Ndër llojet më të shpeshta të kancereve janë: kanceri i gjirit, kanceri i mushkërive,kanceri i zorrës së trashë, urogjenital, gjinekologjik dhe lloje tjera të kancereve me incidence më të vogël se këto që ceka.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark