×
  • Showbiz
  • Insajderi / Insajderi

    “Ironi me UÇK, dhunë, stigmatizim, mizogjeni”, çka përmbajnë “humoret” e pretendentit për të fituar BBV

    Insajderi
    03 March 2023 - 22:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Të dielën që lamë pas, autori i Reality Show “Big Brother VIP Kosova”, Alaudin Hamiti ka deklaruar se finalja e këtij programi  televiziv do të mbahet me 18 mars. E, me qenë se jemi dy javë larg natës në të cilën do të shpallet fituesi i çmimit të madh, le t’i hedhim një sy skeçeve të njërit nga pretendentëve kryesor për të triumfuar garën, Vedat Bajrami, të cilat kanë bërë shumë bujë në kohën kur janë publikuar.

    Vedati gjatë qëndrimit të tij në shtëpinë e “Vëllaut të madh” nuk ka ngurruar të rrëfej përjetimet e tij gjatë periudhës së luftës.

    Ai ka treguar se së bashku me familjen e tij gjatë periudhës kritike kanë qenë në Bllacë, ku edhe ka pasur fatin të ndihmoj shumë njerëz të tjerë të hipin në tren për tu larguar nga Kosova, pos saj ai me nostalgji ka treguar edhe se si forcat serbe i kanë nxjerr me dhunë nga shtëpia e si janë “ndarë” me familjarët e tjerë, rrëfime të cilat janë pritur shumë mirë nga publiku.

    Por, ndryshe nga kjo, skeçet e tij dedikuar periudhës e figurave të luftës, të punuara ndër vite me Osman Azemin e Mensur Safçiun kanë ngjallur shumë antipati ndaj tij dhe grupit.

    Në natën e kalimit nga viti 2015 në 2016, Vedati së bashku me kolegët e tij të kompanisë “Stupcat” kishin publikuar një “skeç” në të cilin kishin ironizuar UÇK-në.

    Në video ishin të inskenuar dy ushtarë të UÇK-së, të cilët në një zonë lufte ishin duke pirë “çaj rusi” teksa serbët  (siç është e paraqitur) kanë qenë duke gjuajtur me armë në drejtim të tyre.

    Por, që halli i tyre nuk ishin gjuajtjet e palës tjetër por kush çka do të “grabisë” pas luftës.

    E, njëri nga bashkëluftëtëtarët e tyre që nuk është pajtuar me idenë që “kush ka luftur ka të drejtë të marrë parcela e ministri”, vrahet nga një luftëtarë tjetër, të cilit dyshja i thonë ta vrasin sepse është spihun.

    Vedat Bajrami dhe Osman Azemi

    Ndërkaq para se dy luftëtarët, në rolët e të cilëve janë Vedati dhe Osman Azemi, të përqahen më njëri-tjetrin se kush sa do të marrë, e “vrasin” edhe vrasësin e spihunit, duke e udhëzuar të shkoj në drejtim të një zone të minuar.

    Ky skeç në kohën kur ishte publikuar, u kishte kushtuar “Stupcave” shumë kritika, kërcënime, sharje.

    “E vërteta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është tepër e madhe, botërisht e njohur dhe e pranuar, saqë as humori i zi i Dick Martit, e as humori pa shije i këtij skeçi, nuk do të mund ta errësojnë apo ta deformojnë këtë të vërtetë”, e kishte komentuar kryetari i Kuvendit në atë kohë, Kadri Veseli.

    “Ushtarët e vërtetë  të UÇK-së në asnjë moment nuk do duhej të ndiheshin të fyer në skeqin humoristik të Stupcave sepse në asnjë sekondë nuk e kanë prekur nderin e Ushtarëve të vertetë të Ushtris Çlirimtare të Kosovës as gjakun e derdhur për Lirinë e vendit tone”, kishte deklaruar ish-deputeti Gani Geci.

    Stupcat

    Por, ndryshe nga Veseli e Geci, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla këtë skeç e kishte përdorur si shembull për të ilustruar bindjet e saj në lidhje me drejtësinë në vend.

    “Ky debat i nxitur nga Stupcat i bën mirë shoqërisë sonë, së cilës e vërteta i nevojitet si ajri që thithim. Nuk mund të futen në një thes heronjtë dhe hajnat, thonë Stupcat dhe kanë shumë të drejtë. Shoqëria jonë duhet të çlirohet prej tyre, dhe kjo do të ndodhë së shpejti. Kosova do të marrë frymë më lirë kur të marrin dënimin e merituar për veprat e tyre kriminale ata që shumëkush i mendoi heronj e u bënë hajna”, kishte deklaruar Gërvalla.

    Ndërkaq, Stupcat kritikave ndaj humorit të quajtur “Plani Strategjik” i ishin përgjigjur me një komunikat në të cilën thuhej.

    “Nuk ka njeri normal që nuk do të ndjente dhembje për gjymtyrët e humbura të luftëtarëve të vet. Do ishte mallkim, sikurse është mallkim që nën emrin dhe petkun e luftës sonë të shenjtë të fshihen profiterë dhe matrapazë të caktuar siç ishin personazhet në skeçin tonë. Nuk mund të futen në një thes heronjtë dhe hajnat.Kjo shtëpi, ky shtet duhet të ndërtohen mbi të drejtën e të vërtetën”, thuhje në komunikatën e Stupcave.

    Në një skeç tjetër, të titulluar “Kënga e burrit”, ishte pasqyruar pak a shumë e njejta histori me të cilën komandanti i përgjithshëm i UÇK-së njëherësh ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, po akuzohej nga prokuroria.

    Personazhi i Stupcave ishte një agë i cili jetonte në një fshat nga ku nëpërmjet djemve dhe nipave të tij kontrollonte toka, biznese të naftës, prona e gjithçka.

    Por ai nuk mjaftohet me kaq dhe ia mësyn plaçkitjes së pronës dhe kapitalit të një biznesmeni nga Zvicra duke përdorur metodat e shantazhit dhe kërcënimit me vdekje.

    Si duket Vedati e ka merak ironizimin e figurave kyqe të UÇK-së, ai në përvjetorin e 14-të të shpalljes së Pavarësisië së Kosovës, kishte publikuar një video humoristike në të cilën e imitonte Jakup Krasniqin, nga qelia e Dhomave të Specializuara.

    Ndaj, tij kishte reaguar edhe Gresa, vajza e ish-kryeparlamentarit, e cila pos tjerash kishte thënë se Vedati nuk ka vlera njerëzore për ta imituar një njeri si Jakup Krasniqi.

    “Figurat historike është vështirë të imitohen, duhen shkathtësi të veçanta të cilat ti nuk i ke. As në imitimet e më parshme e hiç se hiç në këtë të fundit, as për së afërmi ske arritur të imitosh Jakup Krasniqin. Kjo sepse babi ka vlera aq të larta njerëzore të cilat për ty e shumëkënd janë të paarritshme, e shumë herë edhe të pabesueshme. Prandaj në çdo imitim të babit ti cdo herë dështon”, kishte deklaruar ajo.

    Pos tyre “Stupcat”, në shumë “humore” të tyre  kishin krijuar role që i përqeshnin “katunarët”, për shembull, karakteri i Sahit Plisit, Mixhes Shneq, Tetës Gjyli të cilët nuk dinë gjë tjetër pos dhunës, nënshtrimit, poshtërimit.

    Ndërsa, skenat e tmerrshme ku Sheqa i ushtron Gjylës dhunë të formave të ndryshme, si: grushta, shuplaka, shkelma (dhunë fizike); fjalët- kudër, lop, budallicë, ndalesa për të shkuar e bërë atë që do (dhunë psikologjike); ndalesa për të punuar (dhunë ekonomike); publiku kosovarë jo një herë, as dhjetë por me dhjetëra herë ka pasur mundësin t’i shoh të servuar nga ‘Stupcat”, sikur të ishte diçka që pranohet e të bënë nderë./Insajderi

    Autore: Dijellza Preniqi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark