×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Ish-kryeministri Mustafa figuron si borxhli i shtetit, nuk ka paguar tatimin në pronë

    Insajderi
    30 September 2022 - 13:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pavarësisht se ka një pasuri milionëshe del që është borxhli i shtetit. Ai nuk ka paguar tatimin në pronë dhe borxhi i tij kalon shumën prej 5000.

    Sipas një fature të tatimit në pronë, e cila e mbanë datën 18.01.2022, të cilën e ka siguruar Instituti për Hulumtime “Front”, borxhi i tij i parashikuar deri në fund të këtij viti kalon shumën prej 5000 euro, derisa borxhi i tatimit në pronë për vitin e kaluar është rreth 2500 euro.

    I kontaktuar për këtë çështje nga Instituti “Front”, Isa Mustafa ka thënë se nuk i ka ato dokumentet e tatimit në pronë dhe se nuk e di për çfarë bëhet fjalë.

    “Nuk i kam marrë akoma dokumentet e tatimit në pronë dhe nuk e di cilave dokumente iu referoheni. Pasi t’i marr, ju njoftoj”, ishte përgjigja e tij në lidhje me interesimin e Institutit.

    Parcelat milionëshe të Isa Mustafa

    Njërën parcelë me sipërfaqe prej 5734 metra katror Mustafa e ka në bashkëpronësi, përkatësisht gjysmën e kësaj sipërfaqe.

    Edhe një parcelë tjetër figuron në bashkëpronësi të Mustafës me sipërfaqe prej 8719 metra katror, ku vetëm hisja e ish-kryeministrit ka vlerë financiare prej më shumë se 1.3 milionë euro.

    Vlerë edhe më të madhe financiare ka parcela tjetër që e ka në bashkëpronësi Mustafa, përkatësisht 9772 metra katror, ku vetëm pjesa e tij është vlerësuar nga tatimi në pronë mbi 1.46 milionë euro.

    Ndërsa te parcela tjetër me sipërfaqe prej 894 metra katror, e cila potencohet se është për shtëpi familjare, hisja e Mustafës ka vlerë rreth 30 mijë euro.

    Isa Mustafa nuk ka mbajtur pozitë të lartë shtetërore nga viti 2017, kur ka përfunduar mandatin e tij si kryeministër i Kosovës. Por, pasuria e tij prej asaj kohe është rritur dukshëm.

    Në vitin 2017 ish-kryeministri Mustafa kishte deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 503 mijë euro, përfshirë këtu një shtëpi dhe një parcelë toke.

    Përndryshe, në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2017 Isa Mustafa ka deklaruar një shtëpi si trashëgimi në vlerë prej 138 mijë euro dhe 2.41 hektarë tokë poashtu trashëgimi në vlerë prej 365 mijë euro.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark