×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Ish-kryesuesi i KQZ-së pranon fajësinë se falsifikoi rezultatin e votimeve

    Insajderi
    20 April 2023 - 23:00

    Vllaznim Kozniku, ish-Kryesues i Komisionit Zgjedhor të një vendvotimi në Gjakovë, e ka pranuar fajësinë se ka bërë falsifikimin e 51 votave në rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të viti 2017.

    “E pranoj fajësinë dhe deklaroj se nuk do ta përsërisë më veprën penale, dhe i kërkoj gjykatës që të më shqiptojë një dënim sa më të lehtë”, ka deklaruar i akuzuari Kozniku.

    Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet me datën 25 prill.

    Paraprakisht mbrojtësi i të akuzuarit avokati Meshari Selimaj, ka deklaruar se e kishte marrë një raport me të cilin ishte bërë rinumërimi i votave, dhe në të kishte dalë një diferencë e vogël e cila sipas rrethanave nuk ndikon në shfajësimin e të mbrojturit të tij.

    “Pas konsultimit me të akuzuarin Vllaznim Kozniku, kemi ardhur në përfundim se i njëjti dëshiron të deklarohet rreth fajësisë, prandaj kërkojmë nga ana juaj që të ja jepni mundësinë rreth deklarimit”, ka thënë avokat Selimaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Me këtë rast, prokurorja e rastit Dëshire Jusaj e ka mbështetur pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit dhe në fjalën e saj përfundimtare e ka bërë përmirësimin e dispozitivit të aktakuzës.

    Sipas prokurores, në vend të 62 votave, duhet të shënohen 51 vota – 49 të shtuara dhe 2 të hequra –  bazuar në raportin e Policisë të 22 marsit 2023.

    Ndryshe, avokati Selimaj, në fjalën e tij të dhënë para trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Drilon Haraçia, ka thënë se pranimi i fajësisë i bërë nga ana e të mbrojturit të tij, ngërthen në vete rrethana lehtësuese, dhe ka kërkuar nga i njëjti trup, që të akuzuarit Kozniku, t’i shqiptohet një dënim sa më lehtë pasi i njëjti s’ka kryer vepra tjera penale.

    Paraprakisht në fillim të seancës trupi gjykues i ka njoftuar palët se për shkak të pensionimit të anëtarit të mëparshëm të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor filloi rishtas e ku palët u pajtuan që i njëjti të vazhdohet.

    Sipas aktakuzës, i akuzuari Vllaznim Kozniku po akuzohet se më 11 qershor 2017në Gjakovë, pas mbylljes së vendvotimeve, duke e keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij lidhur me zgjedhjet, i ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore. Gjithnjë sipas aktakuzës, Kozniku ka hequr votat e disa kandidatëve dhe ka shënuar disa kandidatë tjerë, duke regjistruar 52 vota, prej tyre 49 vota të shtuara dhe 2 vota të hequra, ku me 52 vota i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike për zgjedhjet e përgjithshme. Ai ngarkohet për “falsifikim i rezultateve të votimit nga neni 219 par.2 lidhur me parg.1 të KPRK-së”.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark