×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Ish-pjesëtari i UÇK-së e vazhdon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Insajderi
    12 October 2023 - 11:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Edhe sot, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i 30-të (me kodin W04769) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar për të cilin Gjykata Speciale njoftoi se është ish-pjesëtar i UÇK-së, ka dëshmuar edhe në seancën e djeshme, e cila ka qenë e mbyllur për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Dëshmitari i 30-të u ftua në sallë pasi i 29-ti tha se nuk ishte i gatshëm që të dëshmonte, por ishte i gatshëm që të shkonte në burg. Po ashtu, ai kërkoi edhe nga trupi gjykues Charles Smith III që t’i japin një muaj kohë në këtë proces.

    Kërkesa e tij u refuzua pjesërisht nga trupi gjykues, kështu që është marr vendim që dëshmitari i 29-të ta vazhdojë dëshminë e tij të hënën më 16 tetor.

    Vlen të theksohet se seanca e ditës së sotme do të jetë më e shkurtë, për shkak se do të mbahet konferenca javore, ku do të jepen informata javore lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë  tjera publike të Gjykatës.

    Gjithashtu, do të ketë edhe konferencë mbi ecurinë e çështjes ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit, të cilët në seancën e parë para gjyqtarit të procedurës paraprake Nicolas Guillou, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

    Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse. Pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse, ndërsa më 5 prill të njëjtën e ka dhënë mbrojtja e Krasniqit.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë ka dhënë dëshminë e saj më 11, 12, 13 dhe 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18, 19 dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë. Kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili e përfundoi më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të. Dëshmitari i 11-të e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor.

    Ndërsa, më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

    Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

    Dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanik që shërbeu në Kosovë, filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

    Më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.

    E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.

    Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams, i cili përfundoi më 11 shtator.

    Më 11 shtator ka përfunduar edhe dëshmia e dëshmitarit të 23-të, ndërkaq më 12 shtator ka filluar të dëshmojë dëshmitari i 24-të.

    Në të njëjtën ditë ka filluar dëshminë dëshmitari i 25-të Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, i cili ka përfunduar dëshminë më 14 shtator.

    Kurse, më 25 shtator ka filluar dëshminë dëshmitari i 26-të, i cili ka përfunduar më 26 shtator, ku në seancë të mbyllur ka filluar dëshminë dëshmitari i 27-të. Më 9 tetor ka filluar dhe më 10 tetor ka mbaruar dëshminë e tij dëshmitari i 28-të, ish-reporteri i Tanjugut, Nebojsha Radosheviq (me kodin 03880). Po më 10 tetor, ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i 29-të i mbrojtur me kodin W04577, në këtë proces. Ndonëse, kërkoi një muaj kohë në këtë proces, dëshmitari i 29-të pritet që dëshminë e tij ta vazhdojë me 16 tetor.

    Ndërsa, në po të njëjtën ditë me dëshmitarin e 29-të, ka filluar dëshminë edhe i 30-ti e që pritet ta vazhdojë edhe në ditën e sotme.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark