×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Islami e ndalon vrasjen

    Insajderi
    02 December 2022 - 13:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Adnan Vishi

    Hytbeja e xhumasë dt. 02.12.2022

    Islami i cili bazohet në besimin dhe idenë për njëshmërinë e Zotit, urdhëron për paqe dhe drejtësi mbarëbotërore. Vetë etimologjia e fjalës islam e ka kuptimin paqe, rehati dhe siguri, por të gjitha këto mund të realizohen vetëm nëse personi i nënshtrohet të Gjithëfuqishmit.

    1. Dhuna nuk mund të arsyetohet:- Dhuna, parimisht, është e refuzuar, sepse, duke qenë se Allahu xh.sh., nuk ia ka lejuar as vetvetes, atëherë ajo askujt nuk i lejohet. Allahu xh.sh., thotë:
      وَلَا تَعْتَدُوا ۚ إِنَّ اللَّـهَ لَا يُحِبُّ الْمُعْتَدِينَ “…mos tejkaloni kufirin! – Se, Allahu, nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” (el-Bekare: 190)
      Pra, parimisht, dhuna ndalohet ndaj çdokujt, ndërsa kur të jemi tek gratë, ndalesa bëhet edhe më e fuqishme, për shkak të natyrës së tyre të dobët dhe pamundësisë për t’u mbrojtur. Pejgamberi a.s. ka thënë: “O Allahu im, unë i deklaroj rreptësisht të paprekshme të drejtat e dy të dobëtëve: jetimit dhe gruas.”
    2. Përzgjedhja e bashkëshortit/bashkëshortes:- Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse vjen t’ua kërkojë dorën e vajzës suaj dikush, fenë dhe moralin e të cilit e pëlqeni, atëherë jepjani, ndryshe do të bëni çrregullime në tokë.” (Tirmidhiu). Pra, nëse i anashkaloni të ndershmit dhe vajzat i martoni për njerëz që i përzgjidhni vetëm pse kanë pasuri ose kanë këtë e atë, ndërsa nuk interesoheni për nderin, moralin, sjelljet dhe fenë e tyre, atëherë ju keni kontribuar për të keq, keni kontribuar për këtë gjendje degraduese dhe të mjerë, në të cilën, rastet e dhunës ndaj femrës, shkelja e nderit të saj, mund të jenë të përditshme.
    3. Vrasja është e ndaluar:- All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë: وَلَا تَقْتُلُوا النَّفْسَ الَّتِي حَرَّمَ اللَّهُ إِلَّا بِالْحَقِّ
      “… mos e mbytni njeriun sepse mbytjen e tij e ndaloi All-llahu përpos kur është me vend…” (el-En’am: 151) Transmeton Ukbeh ibën Amri r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “ Besimtari do vazhdojë të jetë në hapësirën e fesë së tij derisa nuk derdh gjakun e ndaluar .” (Ahmedi, Ibën Maxhe dhe Hakimi)
    4. Vrasja e një njeriu është më shumë se një vrasje:- Allahu xh.sh. thotë: “…se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit …” (el-Maide: 32).
    5. Vrasja konsiderohet nga gjërat shkatërruese:- Transmeton ebu-Hurejra r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Largojuni shtatë gjërave shkatërruese. Shokët e pyetën: Cilat janë ato, o i dërguari i Allahut? Pejgamberi a.s. tha: “T’i bëhet shok Allahut, magjia, mbytja e njeriut të cilën e ka ndaluar Allahu përveç me të drejtë, marrja e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, ikja nga fronti dhe shpifja kundër grave fisnike e të ndershme për amoralitet”. (Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Nesaiu)
    6. Përfundimi:- Fakti se kohëve të fundit janë shfaqur kaq shumë dukuri negative në mesin e popullatës sonë, duhet të na alarmojë të gjithëve, dhe të na vë në lëvizje për të gjetur zgjidhjet më të mira për këto dhe probleme të ngjashme, që për bazë kanë edukimin. Prandaj edukimi fetar duhet të fillojë edhe në institucionet arsimore publike. Xhamia e Mirësisë Kaçanik

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark