×
  • Lajme
  • Lajme

    Ja si detyrohen pacientët me aftësi të kufizuara të presin me orë të tëra në Neurologji për konfirmim të pensionit

    Insajderi
    22 December 2022 - 16:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Vazhdimi i pensionit i detyron personat më aftësi të kufizuara (në karrocë) të paraqiten në komision që funksionon në Klinikën e Neurologjisë.

    Disa në gjendje më të mirë, e disa edhe në gjendje më të rëndë e kanë obligim që të shkojnë aty, në rast se dëshirojnë ta marrin pensionin që u takon.

    Në rast të mos paraqitjes atyre menjëherë iu ndalet pensioni.

    Familjarë të këtyre pacientëve kanë dërguar video në portalin e Front Online dhe janë ankuar se pritja po jetë e gjatë, dhe se për këta persona ky është maltretim.

    Ata thonë se deri sa në kohën e zgjedhjeve po angazhohen ekipe që personave me aftësi të kufizuara po u shkojnë në shtëpi për t’iu marrë votën, pse një gjë e tillë nuk po bëhet edhe tani.

    “Jemi që dy orë e gjysmë duke pritë dhe kjo është tmerr, i maltretojnë këta persona”, ka thënë një familjar.

    Lidhur me këtë shqetësim, për Front Online, ka folur Edmond Komoni, drejtor i Klinikës së Neurologjisë në QKUK.

    Ai, ka thënë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë pasi që duhet t’i shpërndajnë mjekët nëpër Kosovë dhe nuk ka mjaftueshëm.

    Madje, thotë se mjekëve të klinikës nuk u lejohet të bëjnë vizita jashtë.

    “Ne nuk mundemi me krijua ekip sepse janë me mijëra pacientë edhe mjekët prej klinikës nuk e kanë të lejuar me bë vizita jashtë. Ne kemi edhe pacientë të hospitalizuar këtu, edhe sa pacientë janë kështu ne çdo të mërkurë dhe të enjte kemi dy komisione, bëhen 20 apo 30 pacientë dhe me nis ashtu me mbulu krejt Kosovën kush e di sa mjek duhet me i shpërnda”, ka thënë Komoni.

    Sipas Komonit, këta pacientë e kanë obligim që të paraqiten, pasi që Komisioni duhet me i pa dhe me e vlerësua gjendjen e pacientit.

    “Është obligative që pacienti në çfarëdo gjendje që është komisioni duhet me pa, ata kanë me pru njëherë në dy apo tri vjet, por kanë mundësi qysh e bijnë në vizitë, qysh e bijnë me hospitalizu, me sjellë edhe për këtë. Ata duhet me ardhë edhe me i pa komisioni, kush është në karroc. Shumica janë pacientë që lëvizin me karroca dhe është obligative që duhet me u pa, nuk guxojmë ne me i dhënë Komisionit vetëm në bazë të dokumentacioneve, duhet me pa pacientin për shkak që qëllimi i Komisionit është që duhet me u vlerësua, janë pesë anëtar të komisionit. Ata duhet me vlerësua gjendjen dhe me pa faktikisht gjendjen e pacientit se a po i përgjigjet asaj çka është në dokumentacion edhe a është ajo çka kërkohet prej ligjit në mënyrë që atyre me iu vazhdu”, është shprehur drejtori Komoni.

    Drejtori, ka folur edhe për ankesat sa u përket pritjeve, duke thënë se pritja nuk është e gjatë dhe se të gjithë përfundohen brenda dy orëshit.

    “Është normale nëse ti i ke 20 veta dhe mblidhet Komisioni dhe llogarite që ne këtu i kemi mjekët të cilët kanë edhe obligime tjera. I kemi 50 pacientë të hospitalizuar, i kemi 4 ambulanta specialistike, i kemi 3 dhoma të diagnostikës që funksionojnë çdo ditë, i kemi tre mjekë kujdestar 24 orë, dhe nuk kemi mjek me caktu orarin. Duhet të regjistrohen në sistem, duhet me marr numrin dhe me prit, nuk kemi zgjidhje tjetër, por në përgjithësi pritja është e vogël, pacientët kryhen brenda dy orëshit, varësisht sa vinë se ka ndodhë nganjëherë që vijnë nga 10, po ka ndodhë që janë edhe 27, 28 apo 30 vetë”, ka shtuar më tutje ai.

    Në Kosovë, në bazë të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, jetojnë mbi 77.000 persona me aftësi të kufizuara.

    Kosova ka ligj për integrimin e tyre në jetën e përditshme. Por, sipas raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2021, ata mbeten një nga kategoritë më të cenueshme të popullatës në vend, për shkak të infrastrukturës jo të duhur për qasje në objekte të institucioneve publike dhe të tjera.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark