Drejtori i Dritës, Valon Zymberi, e ka quajtur servil gazetarin e volejbollit dhe basketbollit, Alban Lumi, pasi ky i fundit tronditi mbrojti Federatën e Futbollit dhe kryetarin e saj Agim Ademi gjatë një paraqitjeje televizive të dielën.
Lumi i mbrojti veprimet jotransparente të FFK-së ndaj kolegëve të tij nga sporti i futbollit.
“Unë nuk besoj se ato media ia vlen me qenë brenda kuvendit. Gazetarët e kryejnë punën e vet, ata brenda e kryejnë të veten. Çka lyp gazetari në mesin e kuvendarëve? Me çu dorën a?”, tha Lumi në emisionin Dueli Sportiv në RTV Dukagjin.
Zymberi iu përgjigj: “Ti është dashur të shqetësohesh së pari me faktin se kolegët tuaj kanë mbetur jashtë, kanë ngrirë nga ftohtit.”
“Unë jam gazetar sportiv. Ti e din që unë nuk shkruaj veç për basketboll por edhe për volejboll”, këmbënguli Lumi.
Derisa Zymberi po mundohej të nënvizonte shqetësimet e skuadrës së tij për humbjen e të hollave nga ligji për sponsorizim si pasojë e moslicencimit dhe druajtjeve se Statuti i ri nuk do të pranohet nga Komisioni Licencues i Ministrisë së Sportit për shkak të mangësive, Lumi po e ndërpriste vazhdimisht dhe e quajti atë “nivel i ulët”.
Ishte ky çast kur Zymberi e quajti atë servil.
“O Alban, me ty tash e tutje debatoj vetëm kur të marrësh pozitë në federatë (FFK), je bërë bozë. Kë po e përfaqëson ti, kë? Ec servil i vogël”, tha Zymberi.
Ndryshe, gazetarët e sportit nuk u lejuan për herë të dytë radhazi në një kuvend pune të FFK-së, madje as brenda oborrit të ndërtesës së federatës.
Ata u desh ta shikonin në Youtube Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku FFK-ja shpejt e shpejt e miratoi Statutin e ri të federatës midis akuzave dhe polemikave për shkelje dhe mangësi.