×
Hulumtime/Analiza / Analiza

“Ka ikur koha e njerëzve partiakë” si e harroi Përparim Rama premtimin – Brenda pak jave 3 ndërmarrje u “kapën” nga zyrtarë të LDK-së

Insajderi
01 November 2022 - 11:44
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

“Ka ikur koha e njerëzve partiakë, ndërmarrjet publike do të menaxhohen nga profesionistë”- ky premtim i Përparim Ramës mbetet në arkiv, pasi që realiteti flet ndryshe. Vetëm brenda më pak se dy muaj, tri ndërmarrje të Komunës së Prishtinës iu besuan zyrtarëve të LDK-së, partisë përmes së cilës Rama e mori pushtetin në kryeqytet.

Me 2 shkurt, ditën kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, prezantoi drejtorët e rinj dhe ekipin e tij, pati dhënën një deklaratë të fortë.

Thoshte se ka ikur koha kur ndërmarrjet publike janë drejtuar nga njerëz partiak. Jepte shpresë së njësoj sikurse paraardhësit e tij në kryeqytet nuk do të vepronte edhe ai.

“Njerëz profesionistë dhe adekuat do të marrin në menaxhim drejtoritë publike. Duhet të kalojmë nga ideja partiake, kjo parti këtë ndërmarrje e kjo parti këtë ndërmarrje. Do të bëjmë më të mirën për të vendosur njerëz profesionist për transformimin e qytetit tonë”, ka thënë Rama.

Në kundërshtim me këtë që thoshte Rama është realiteti i ditëve të fundit. Tre ndërmarrje publike ku aksionare është Komuna e Prishtinës, u “kapën”nga zyrtarë të LDK-së, shkruan Gazeta Insajderi.

Fisnik Osmani, Sokol Havolli e Bardh Krasniqi zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë vendosur në krye të ndërmarrjeve.

Me 9 shtator, në krye të Ndërrmarrjes Publike “Termokos”, ka zgjodh Kryeshefi i ri Ekzekutiv. Kjo pozitë iu besua asamblisti të LDK-së në në Prishtinë, Fisnik Osmani, shkruan Insajderi.

Osmani është zgjedhur asamblist i LDK-së në zgjedhjet e fundit.

“Pas realizimit të procedurave të përzgjedhjes (vlerësimit të dokumentacionit dhe intervistimit/poentimit), bazuar në vlerësimin e realizuar veçmas dhe të pavarur si nga Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, ashtu edhe nga ekipi i Ambasadës Britanike, kandidati Fisnik Osmani ka arritur rezultatin më të mirë poentues nga të gjithë kandidatët”, thuhej në njoftimin e ndërmarrjes.

Konkursi për Kryeshef Ekzekutiv të NP “Termokos” ishte shpallur me 7 korrik. Në të kishin aplikuar gjithsej 12 kandidatë sipas kësaj ndërmarrje por që besimin për ta drejtuar atë e mori asamblisti i LDK-së Fisnik Osmani.

Një muaj pas këtij zhvillimi, një ish-këshilltar i Isa Mustafës sa ishte kryeministër u zgjodh kryeshef në Ndërmarrjen “Prishtina Parking”, shkruan Gazeta Insajderi.

Sokol Havolli, mori besimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Prishtina Parking, për të drejtuar institucionin që menaxhohet nga komuna e Prishtinës së Përparim Ramës.

Sokoli ka mbledhur 38.75 pikë, dhe i njëjti para pak kohësh ka dhënë dorëheqje nga zv.guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

Emërimi i Sokolit ka ardhur pas shkarkimit të Liridon Restelicës në gusht të këtij viti.

Shkarkimi i tij, sipas Përparim Ramës, kishte ardhur pasi Restelica kishte keqpërdorur pozitën dhe nuk kishte përfillur Bordin e Drejtorëve.

“Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL “Prishtina Parking” ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking”. Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, z. Liridon Restelica, hyn në fuqi sot, me datë 22.08.2022″, – shkroi Rama.

Dy ditë pasi u emërua kryeshef i “Prishtina Parking”, Sokol Havollin, ish-këshilltarin e Isa Mustafës, radha i erdhi një tjetri anëtar të LDK-së.

Në krye të ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”, u vendos  Bardh Krasniqin, kandidat i LDK-së për asamblistit në Prishtinë në zgjedhjet e fundit. 

Krasniqi i cili kishte aderuar në LDK gjatë verës së 2021-së, ka arritur të listohet i pari nga komisioni vlerësues në kuadër të komunës. Ai ka marrë 37 pikë.

Përparim Rama si kandidat i Lidhjes Demokratike me 7 dhjetor të vitit 2021, e mori nën udhëheqje Prishtinën. Vetëm pak muaj pas kompletimin të kabinetit të tij, veçse kanë filluar emërimet politike. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark