Zlatan Ibrahimoviq po pritet të bëjë një rikthim sensacional te Milani. “Calciomercato” ka raportuar të martën se negociatat mes palëve tashmë kanë nisur zyrtarisht dhe rikthimi i Ibras në “San Siro” është vetëm çështje kohe.
Në fakt, Ibrahimoviqi do të rikthehet në një rol tjetër, atë të menaxherit të ekipit pasi po shihet si person i nevojshëm për ta motivuar skuadrën që po synon suksese këtë edicion.
41-vjeçari në dy periudha të ndryshme ka qenë futbollist i Milanit, ekip me të cilin e ka fituar edhe titullin e kampionit të Italisë.
Ai u përshëndet nga futbolli aktiv në fund të edicionit të shkuar kur ishte pjesë e Milanit dhe vlerësohet lart nga drejtuesit e klubit, të cilët e duan afër ekipit. Ibrahimoviq ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u kyçur në klubin italian, pasi tashmë ka vizituar disa herë ekipin për ta motivuar para dueleve të rëndësishme, siç ishte ai me Newcastle Unitedin në Ligën e Kampionëve.