×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Ka probleme serioze me zemër”, familjarja e kosovarit të arrestuar nga Serbia tregon gjendjen e tij shëndetësore

    Insajderi
    20 April 2024 - 13:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Më 17 prill, autoritetet serbe kanë ndaluar Sadik Durakun nga fshati Dumjan – komuna e Gjakovës, nën dyshime për krime lufte. Ai ishte duke u kthyer në Kosovë, pasi që prej vitesh jeton në Angli dhe arrestimi i tij ka ndodhur në pikën kufitare në Horgosh.

    Ndaj Sadik Durakut është shqiptuar paraburgim prej 30 ditësh. Pas kësaj dje gjendja shëndetësore e tij ishte përkeqësuar.

    Por, tashmë ai është në gjendje stabile, kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Qendresa Duraku, familjare e kosovarit që po mbahet në Serbi.

    Qendresa Duraku i tha Insajderit se Sadik Duraku ka probleme me shëndetin dhe merr terapi të renda.

    Gjendjen shëndetësore të tij nuk ka qenë e mirë dje pasi është marr vendimi për paraburgim. Pastaj na kanë then qe është stabile Po prap në informata direkte me të nuk kemi pasi askush nga familja jonë nuk ka biseduar me të vetëm nëpërmjet avokatit. Personi ne fjalë ka probleme serioze me zemër ka stenda të vendosura terapi të rëndë“, tha ajo për Insajderin.

    Tutje ajo ka treguar se Duraku gjatë luftës ishte në Angli dhe se sipas saj akuzat nga Serbia janë ta pabazuara.

    Per sa i përket mbajtjes ne momentin qe është marr nga forcat speciale serbe është marrë me pretekst se ka kryer Krime lufte gjatë vitit 1999, ne Prizren, Gjakovë, Pejë. Gjë qe është e sajuar sepse gjatë asaj kohe 98/99 ky ka qenë në Angli. Dje pasi është marr vendimi per paraburgim gjatë seances gjyqësore, i vetmi koment se pse do të mbahet ka qenë se kemi një deshmitar që e ka përmendur personin në fjalë një herë. Gjë qe është komplet false, nuk kanë dhen detaje kush është ai ose ajo nuk kanë dhen detaje në aktakuzë se kë e ka dëmtuar ose e “vrarë” janë gjera te pabaza krejt këto Po pasi që shteti Serb di ti bëj këto nuk është çudi edhe kjo!!!“, përfundoi ajo.

    Lidhur me këtë rast, informacione më të detajuara ka dhënë Leutrim Sahiti nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Në një përgjigje të Gazeta Insajderi, Sahiti ka konfirmuar arrestimin e Durakut nën dyshimin për “krime lufte.

    “Në lidhje me pyetjet tuaja deklarojmë se sipas njoftimit të pranuar nga avokati mbrojtës dhe familjarët e z. Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës, nga fshati Damjan, Komuna e Gjakovës, (i cili ka po ashtu edhe shtetësi të Britanisë së Madhe), është arrestuar më 17 prill 2024, në Vendkalimin Kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci. Ai ka qenë duke u kthyer në Republikën e Kosovës me veturën e tij personale”, thuhet në përgjigjen e Sahitit.

    Sahiti po ashtu tregon se ndaj Sadik Durakut është shqiptuar parabugim prej 30 ditësh.

    “Pas arrestimit, z. Duraku i është komunikuar nga autoritetet serbe se është i ngarkuar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999, ku pastaj është dërguar në Beograd në mbajtje edhe për 48 orë, në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Ndaj tij pretendimet për kryerje të krimeve të luftës i ka ngritur Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit. Z. Duraku, sot, e Premte, 19 prill 2024, në ora 9:00 ka dalur para gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Sipas avokatit mbrojtës, Gjykata ka marrë vendim me të cilin atij i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve”, thuhet ndër të tjera./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark