×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Ka stërvitur me Ronaldon e Dybalan: Flet lojtari që pak javë më parë u transferua në Kosovë

    Insajderi
    12 August 2022 - 14:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qëndrim Kameraj pati fatin që ta ndajë të njëjtën fushë me futbollistë të klasit botëror. Por Kameraj vlerëson se asnjëherë nuk e ka shfaqur gjithë potencialin që e ka. Arsyeja thotë se ishin lëndimet e shumta.

    Si futbollist, Kameraj është zhvilluar në Zvicër e në Itali, ndërsa karrierën tani do ta vazhdojë në Superligën e Kosovës.

    Futbollisti i krahut të djathtë është zyrtarizuar nga Dukagjini i Klinës. Arritjes së tij i janë gëzuar te klubi nga Klina, e i lumtur për këtë lëvizje është shprehur edhe vetë futbollisti që u lind në Luzern të Zvicrës.

    Në fakt, ai e kishte menduar kalimin në elitën e futbollit të Kosovës sezonin e kaluar, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. Mbeti në Zvicër, te Kriensi në rangun e dytë helvetik. Luajti vetëm 11 ndeshje. Ky numër i paraqitjeve është më i madh se i paraqitjeve në dy vjetët paraprakë.

    “Vitin e kaluar kam pasur plan që të vij në Kosovë, por nuk u bë e mundur. Qëndrova edhe një vit në Zvicër dhe sivjet vendosa të vij të luaj për Dukagjinin”, ka thënë Kameraj të enjten për KOHËN.

    Kameraj pauzoi dy vjet shkaku i lëndimeve, ndërsa kalimin në Kosovë e sheh si hap për ringjallje të karrierës.

    “Thënë të drejtën, kam pasur shumë lëndime në karrierën time. Nuk kam mundur të luaj dy vjet për shkak të lëndimeve të ndryshme, por tani dua që ta marrë veten e të mendoj për të ardhmen. Jam i ri në moshë dhe besoj në potencialin që e kam. Fillimi këtu te Dukagjini është mjaft i mirë. Kam pasur pritje të ngrohtë nga të gjithë, nga trajneri e lojtarët”, vazhdon tutje Kameraj.

    Kameraj si i ri ishte vlerësuar shumë, si në Zvicër ashtu edhe në Itali. Madje në Itali ishte pjesë e të rinjve të Juventusit, kurse ka ushtruar edhe me yjet si Cristiano Ronaldo, Miralem Pjaniq e Paulo Dybala, nën urdhrat e Massimiliano Allegrit.

    E gjithë eksperiencën që ka fituar në të kaluarën, Kameraj shpreson që ta bartë te klinasit për t’i arritur objektivat.

    “Kam pasur shansin që të luaj e të ushtroj me lojtarët më të mirë në botë, te Juventusi. Trajner e kisha Allegrin. Kam mësuar shumë për kohën sa kam qenë aty. Besoj se falë asaj që kam mësuar atje do ta ndihmoj edhe Dukagjinin në Kosovë”, thotë futbollisti me prejardhje nga Klina. “Kontratën e kam njëvjeçare. Për mua është e rëndësishme që të luaj, të kem fat e të mos kem lëndime. Dua ta fitoj sërish formën e pastaj të shohim për të ardhmen”, është shprehur 23-vjeçari.

    Kameraj krejt në fillim të karrierës ishte pjesë e Ebikonit dhe Luzernit, kurse te Juventusi kaloi në vitin 2017. Ishte pjesë e grupmoshës U19 dhe U23.

    Në janar të vitit 2019 u kthye te Lugano në Zvicër, por që në verën e kaluar u largua pa asnjë ndeshje me ekipin e parë.

    Me Juventusin U19 luajti në 18 ndeshje dhe pati dy gola të shënuar, kurse te grupmosha U23 e kishte një ndeshje të zhvilluar.

    Ishte edhe pjesë e grupmoshave zinxhirë të Zvicrës, ndërsa vendosi ta përfaqësojë Kosovën U21.

    Me shpresat e Kosovës e ka një ndeshje të zhvilluar. Luajti në humbjen 4:0 nga Austria në kuadër të kualifikimeve për Evropian.

    Dukagjini, që e siguroi mbijetesën në fazën finale të kampionatit, edicionin e ri, 2022/23, e nis ndaj Prishtinës në Klinë, të shtunën nga ora 17:00. Mbetet të shihet nëse Kameraj do të debutojë në këtë ndeshje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark