×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Kadare rrëfen njohjen me Ukshin Hotin: Besimi i tij te Evropa nuk duhet të humbë në Kosovë

    Insajderi
    18 June 2023 - 15:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komuna e Rahovecit e ka nderuar me titullin “Ukshin Hoti”, shkrimtarit të shquar me famë ndërkombëtare, Ismaili Kadare. Në një ceremoni të veçantë, u kujtua komunikimi i Kadares dhe Ukshin Hotit, gjatë kohës që ky i fundit ishte në burg. Ndërkohë, u tha se besimi i Ukshin Hotit te Evropa nuk duhet të humbë në Kosovë.

    “Unë e ruaj mendimin më të mirë për të. Ajo çka kemi folur dhe biseduar, i kemi shkruajtur njëri-tjetrit nëpër letra, mbetet madhore. Duke i rikujtuar tani, e kuptoj se sa pasuruese ishin këto biseda me të, për atë dhe mua. Natyrisht që ishte një gëzim i madh që i jepnim njëri-tjetrit. Ai e jepte këtë ndjesi me këdo që takohej. Me këtë gëzim që merrej prej tij dhe i kthehej atij, qarkullonte dhe bënte që mendimi për Kosovën, ëndrra për Kosovën të ishte e gjallë gjithmonë dhe të mos shkaktonte lodhje ose mërzi.”, tha Kadare në videomesazhin e tij.

    Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smail Latifi foli për kontributin dhe veprën e Ukshin Hotit, si dhe komunikimin mes Hotit dhe shkrimtarit Kadare. Bashkëshortja e Ismaili Kadare, shkrimtarja Helena Kadare, e cila ishte e pranishme në ceremoni, tha se Ukshin Hoti është një njeri që besoi dhe luftoi për ide duke besuar në një forcë të jashtëzakonshme që është në shpirtin e këtij vendi të cilin historia e ka ndëshkuar vazhdimisht. Ajo shtoi se gjithë veprimtaria e Ukshin Hotit janë një testament i rëndësishëm mbi të cilin duhet të vijojë puna për Kosovën demokratike që sheh drejt Evropës.

    Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosovës iu është imponuar lufta dhe shumica e këtyre plagëve nuk njihen nga aleatët tanë e lere më nga ata që i kanë shkaktuar. Mes të tjerash ai tha se qytetarët e Kosovës duhet ta gjejnë fuqinë e pajtimit dhe të jetojnë në paqe, duke mos harruar.

    Të pranishmit i përshëndeti edhe rektori i Universitetit të Prizrenit, ‘Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, si dhe djali i veprimtarit të Ukshin Hotit, Andin Hotit. Përpara kësaj ceremonie, me rastin e shënimit të 80-vjetorit të lindjes së atdhetarit Ukshin Hoti, është përuruar kompleksit kulturor-historik në Krushë të Madhe.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark