Kandidatja e PDK-së për deputete, Adelina Grainca ka premtuar ta ndajë gjysmën e pagës së saj për të financuar bursa për vajzat, në rast se siguron ulësen e saj në Kuvend.
Grainca ka thënë se nga ndarja e gjysmës së pagës si deputete, do të arrijë të financojë 10 bursa brenda vitit.
Ajo ka thënë se përzgjedhja do të bëhet përmes disa kritereve.
Postimi i plotë i Adelina Graincës në Facebook:
10 bursa për studentet vajza nga gjysma e pagës sime
Do të angazhohem që t’i inkurajojë vajzat që të marrin sa më shumë pjesë në procesin e shkollimit, dhe për krijimin e kushteve në tregun e punës.
Për këtë do ta ndajë gjysmën e pagës sime si deputete për të siguruar mundësinë financiare për vajzat që të shkojnë në fakultet. Brenda vitit do të financojë 10 bursa për vajzat studente.
Përzgjedhja e vajzave përfituese të bursës do të bëhet sipas dy kritereve bazë:• 50% të bursave do t’u shkojnë vazjave që nuk kanë mundësi financiare për ta vazhduar shkollimin• 50% të bursave do t’u shpërndahen vajzave që kanë sukses të shkëlqyeshëm e për të cilat bursa do të jetë inkurajim shtesë për vazhdimin e shkollimit.
Por jo vetëm kaq. Përmes biznesit që e menaxhojë dhe lidhjeve që kam në qytetin e Ferizajit e më gjerë do të angazhohem që kjo nismë e imja të përkrahet edhe nga bizneset tjera në mënyrë që bashkë ta krijojmë një Fondacion i cili do të sigurojë shumë më shumë bursa për shumë më shumë vajza në Ferizaj e komunat tjera të Kosovës.
Kjo nismë e ka dimensionin shtesë përveç arsimimit të vajzave dhe grave të Kosovës. Është pikënisje e mundësive tjera që duhet të krijohen për të garantuar trajtim të barabartë mes gjinive në Kosovë.
E më e rëndësishmja nga to është barazia në punësim. Si deputete do të insistojë që të zbatohet me përpikmëri ligji për barazinë gjinore që kushtëzon punësim prej 50% të secilës gjini në secilin sektor. Kjo është shumë e rëndësishme në sektorin publik. Por është po aq e rëndësishme edhe në sektorin privat. Duke ardhë nga fusha e biznesit unë e kuptoj anën dhe shqetësimet e punëdhënësit. Duke qenë grua unë e kuptoj pozitën e gruas.
Prandaj do t’i bëjë bashkë këto dy karakteristika për ta ndryshuar gjendjen. Gjë më e rëndësishme për bizneset sot është që krahas obligimit ligjor për punësim më të madh të grave, obligim ky që do të sigurohem të zbatohet, të ndërtohen mekanizma institucional që i mbështesin bizneset për ta arritur këtë barazi. Ato janë arsimi dhe trajnimi profesional i fuqisë punëtore. Bursat janë mjet që e sanon një gjë të tillë.
Po ashtu lehtësirat tatimore për punësim në përgjithësi, e për punësimin e grave në veçanti. Unë këtë prioritet kam në jetë.
Dhe këtë prioritet do ta kem në Kuvend. Siç kam insistuar që të arrijë po aq e edhe më shumë se sa kanë arritur shoët e klasës në arsimim, siç kam insistuar të arrijë po aq sa vëllezërit e mi në biznes, siç insistojë të arrijë po aq sa arrijnë burrat në politikë, ashtu do të insistojë që të arrijnë gratë po aq sa arrijnë burrat në tregun e punës e në jetën shoqërore.
Sepse rimëkëmbja nuk është vetëm e shtetit ose vetëm e ekonomisë – rimëkëmbja është rimëkëmbje e shoqërisë.#PDK134