Të martën është hapur afati për votim me postë nga diaspora. Mërgimtarët kanë afat që të votojnë deri më 12 shkurt. Shumë prej tyre tashmë e kanë përfunduar këtë proces, por po ankohen për çmimet që po iu duhet të paguajnë për të dërguar zarfet me vota në vendlindje përmes postës.
Mërgimtarët që jetojnë në Gjermani po duhet të paguajnë gati 70 euro për të votuar përmes postës.
“Kam votuar sot, por kjo kosto është shumë e lartë dhe s’është normale. Kam paguar 66.20 euro”, ka thënë një mërgimtar për Express.
Më shtrenjtë se nga ky shtet, kushton votimi nga Suedia. Kosovarët që kanë votuar prej këtij shteti dhe votën e tyre e kanë përcjellë përmes postës kanë paguar rreth 80 euro.
“Faleminderit” Organizates Kriminale KQZ qe me detyroj te paguaj 80 Euro per vote por nese eshte nevoja per vend timin edhe 800 i paguaj! From 🇸🇪 with Love!”, ka shkruar një tjetër në rrjete sociale.
Procedurat se si mund të votoni përmes postës
Në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ju mund të votoni vetëm për një Subjekt Politik të renditur në anën e majtë të fletëvotimit, ndërsa në anën e djathtë mund të votoni deri në pesë kandidatë nga ai subjekt politik.
Fletëvotimin dhe broshurën me emrat e kandidatëve për secilin subjekt politik mund t’i gjeni në linkun: https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per…/votimi-me-poste/
Si duhet ta dërgoni pakon me fletëvotim në adresë të KQZ-së?
-Fletëvotimin e plotësuar vendosni në një zarf të pashënuar dhe mbylleni. Kjo do të ruajë fshehtësinë e votës suaj.
-Zarfin e pashënuar dhe kopjen e një dokumenti identifikues të vlefshëm vendoseni në zarfin e kthimit, në të cilin e shënoni adresën postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Republika e Kosovës Votimi Përmes PostësPosta nr. 6, Kutia Postare 351 10 000 Prishtinë, Republika e Kosovës.
Fletëvotimin përmes postës, duhet ta dërgoni vetëm për vete apo rrethin e ngushtë familjar. Nëse dërgoni fletëvotime për persona të tjerë, fletëvotimet do të refuzohen!
Fletëvotimi duhet të pranohet nga KQZ-ja më së largu deri më 12 shkurt 2021.