×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Katër vite nga arrestimi i Nezir Mehmetajt në Serbi, ai po vazhdon të mbahet në burgjet serbe

    Insajderi
    04 January 2024 - 16:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Janë bërë katër vite që kur Nezir Mehmetaj nga fshati Rudicë e Klinës është arrestuar nga Policia serbe më pikën kufitare në Merdare në janar të 2020-ës, nën dyshimin se ka kryer krime lufte gjatë vitit 99’ në fshatin e tij.

    Tash e katër vite ai po vazhdon të mbahet nëpër burgjet e Serbisë. Paraburgimi vetëm po i zgjatët. Rasti është duke u zvarritur thotë vëllai i tij.

    “Neziri Akoma mbahet në të njëjtën formë, vetëm është duke ju vazhduar mbajtja”, ka deklaruar ai për Insajderin.  

    Në qershor të 2023-ës, Mehmetajt i ishte kthyer lënda nga fillimi. Kështu konfirmonte për Insajderin vëllai i tij, Agron Mehmetaj.

    Mehmetaj deklaroi se arsyeja është sepse i është ndërruar gjykatësi dhe për këtë prokurori ka kërkuar që të vazhdoj nga fillimi.

    “Arsye është sepse i është ndërruar gjykatësi e tash prokurori ka kërkuar që të vazhdojë çdo gjë nga fillimi sepse si kanë shkuar punët ashtu siç ka pas dëshirë ai sepse s’ka pas asnjë mundësi të vetme që ta gjejë një fakt për ta dënuar apo të kapet diku qe t’i kryej punë”, thoshte ai.

    Për çka akuzohet Mehmetaj?

    Më 4 janar 2020, Nezir Mehmetaj u arrestua nga policia serbe në vendkalimin Merdare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me një urdhër të lëshuar nga institucionet e drejtësisë serbe.

    Që atëherë ai është mbajtur në paraburgim në Beograd.

    Mehmetaj akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e shtatë njerëzve dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në fshatin Rudicë në komunën e Klinës, si anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Mehmetaj është duke u mbajtur në Burgun Qendror (‘Centralni Zatvor-CZ’), dhe ndaj tij është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit, teksa gjykimi i tij ka filluar në muajin prill të vitit 2021.

    Çka bënë institucionet e Kosovës për Mehmetajn?

    Asgjë. Përveç një letre të dërguar në mars të 2023-ës nga ana e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu drejtuar homologes së saj Maja Popoviq, kërkonte transferimin e Mehmetajt në Kosovë.

    Haxhiu në letrën dërguar ministres serbe, kërkonte që Mehmetaj e Dula, të vijnë në Kosovë e akuzat ndaj tyre të trajtohen nga organet e vendit.

    Letra nuk është kthyer mbrapsht. Ende s’ka përgjigje.

    Siç mëson Insajderi, Nezir Mehmetajt i është shqiptuar masa e paraburgimit deri më 24 shkurt. Mbetet të shihet nëse rasti i tij do të marrë epilog apo do të vazhdojë të zvarritet.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark