Borussia Dortmundi u kualifikua në finale të Ligës së Kampionëve pasi mposhti me rezultat të përgjithshëm 2-0 Paris Saint-Germainin në gjysmëfinale.
Në ndeshjen e parë të luajtur në Gjermani kishte vendosur goli i shënuar nga Niclas Fullkrug, ndërsa në ndeshjen e dytë ishte goli i Mats Hummels ai i cili shuajti shpresat e parisienëve për të arritur finalen e dytë brenda katër viteve.
Që në fillim të ndeshjes u vërejtën tensionet në mes dy tifozerive të cilat ishin të pranishme në stadium.
Tifozët e PSG-së shfaqën një flamur gjigant të Borussia Dortmundit duke e djegur atë përballë syve të miliona shikuesve, gjest ky që padyshim i ka irrituar tifozët gjermanë.
Sidoqoftë, përgjigja e Dortmundit erdhi në një mënyrë tjetër, thënë më ndryshe përmes rrjeteve sociale.
Erling Haaland kishte shënuar gol ndaj PSG-së gjatë kohës sa ishte pjesë e Dortmundit duke bërë festimin e tij ikonik tashmë të njohur për tifozët e futbollit.
Por, pasi PSG-ja në fund e fitoi ndeshjen, në shenjë hakmarrje ndaj norvegjezit, i gjithë ekipi pozoi në fotografi imituar festimin e Haalandit.
Tani, sot katër vite pas asaj ndeshje, faqja zyrtare e Dortmundit në platformën X e rikujtoi postimin e PSG-së duke i përqeshur me mbishkrimin: Ka shije si një verë e mirë./Telegrafi/
🧘♂️🧘♂️🧘♂️…and breathe
— Paris Saint-Germain (@PSG_English) March 11, 2020
💙❤️ pic.twitter.com/CGijCM0ct8