×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    ‘Katrahura’ e Trafikut Urban, qytetarët po presin autobusë nga 15 në 30 minuta – ja si arsyetohen nga kjo ndërmarrje

    Insajderi
    23 January 2024 - 13:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dje, ditë e hënë në redaksinë e Insajderit kanë arritur disa ankesa kundrejt linjave të Trafikut Urban, nga qytetarë/banorë të Prishtinës. Ankohen për pritje të gjata në temperatura të ulëta, e për sjellje jo korrekte të shoferëve. Një arsyetim/përgjigje për këto ankesa e kanë dhënë edhe nga kjo ndërmarrje.

    “Baba i vjetër se hajt unë, kjo nuk është normale që 20 minuta tu prit autobus”, “Vajzën e kam të vogël, për zor të shkrete po duhet me përdor këtë autobus, po këqyre qysh vonohen, jem ngri”, “Temperatura -7 grade, unë tu prit që 15-20 minuta autobus, kjo nuk është ne rregull”, janë këto disa prej ankesave që janë adresuar tek Insajderi.

    Fotografi e dërguar nga qytetarët, teksa prisnin në këmbë për autobus ndërkohë që kishin 15 minuta që po prisnin

    Qytetarët të cilat kanë dashur të mbesin anonim janë ankuar, më konkretisht për linjën numër 4 dhe numër 3B.

    Njëri prej tyre madje u shpreh i nervozuar se si autobusët e linjës 4, po mblidhen nga 4-5 copë tek “Parku i Gërmisë”, ndërkohë asnjë nuk vije për të shpie në drejtim të qendrës.

    Fotografi e dërguar nga qytetari që dëshmon për grumbullimin e katër autobusëve të linjës 4 të Trafikut Urban, tek “Parku i Gërmis”, pjesa e njohur si poshtë rampes

    “Hajt t’ish kanë vera kisha thanë po temperaturat -, plus pa autostop është bë e tepërt”, i tha kjo qytetare Insajderit teksa shtoi se po fliste për pjesën e Lagjes së Bledit, ku në afërsi ndodhet një restorant.

    Aty, ajo thotë njësoj sikurse tek stacion i njohur si tek “Ish-Teknika”, nuk ka as kabina të pritjes.

    Ankesat e adresuara paraditen e së hënës, vazhduan edhe pasditen e djeshme.

    Një tjetër qytetar ka thënë se nga ora 17:05 deri në orën 17:30 pasdite ka pritur për autobusin e linjës 4, i njëjti pas 25 minuta pritje ka thënë se ka qenë i stërmbushur.

    “Aty tu nxihet fryma, kamen nuk kishe ku me shti, dmth përveç që vonohen janë edhe të stërngarkum”, tha ai duke kritikuar ashpër menaxhimin e kësaj ndërmarrje.

    Ndërmarrjen Publike “Trafiku Urban” e kritikoi ashpër edhe një banor i lagjes “Kodra e Trimave”.

    Duke sqaruar se është veç një punëtor krahu,  tha se ka pritur për autobusin e linjës 3B mbi 25 minuta dhe në fund kur ka arritur në autostop ka qenë i stërmbushur, dhe nuk është ndalë fare.

    “Kam prit mbi 25 minuta, në fund nuk u ndal hiç, çfarë shoferi pa fije kulture, bile mu nal me kallxu, përfundova tu ec në kamë për në shpi”, u shpreh i zhgënjyer ai.

    Përgjigja e Trafikut Urban

    Ndërkohë për disa prej ankesave Gazeta Insajderi ka kontaktuar Trafikun Urban.

    Të njëjtit dhanë disa arsyetime pse po ndodhin këto vonesa.

    Me keqardhje pranuam ankesën dhe përmes kësaj përgjigje, së pari, ju kërkojmë falje qytetarëve për pritjen, që në disa raste mund të jetë më e gjatë se që është e planifikuar për shkaqe të ndryshme (trafiku i ngarkuar, aksidente në rrugë, prishje teknike të autobusëve, etj). Sidoqoftë, ne jemi shumë të përkushtuar për të ofruar shërbime me kapacitete të plota dhe efikase ndaj qytetarëve, edhe nëse kjo nuk është gjithmonë e arritshme sipas standardit të dëshiruar nga të gjithë ne në Trafik Urban”, kanë deklaruar nga Zyra për Informim.

    Sa i përket ankesën së qytetarëve ka pasur vonesa paradite prej 15 deri në 25 minuta, e pasdite edhe deri me 30 minuta, kanë lënë të kuptojmë se nuk ka vonesa të tilla.

    Duke cekur se pas orës 09:00 ka autobus çdo 10 minuta, gjë e cila bie ndesh me ankesën e qytetarëve, që ‘hallet’ e tyre me Trafikun Urban i kanë parashtruar tek Insajderi.

    Sidoqoftë nga kjo ndërmarrje u kanë kërkuar falje qytetarëve për pritjet sipas tyre “5 minuteshe” .

    “Sa i përket pritjes 15 minuta, ju njoftojmë se nga ora 09:00 deri në orën 09:30, nisjet janë të planifikuara çdo 10 minuta, pasi konsiderohet kohë me fluks më të ulët për qytetarët. Nga ora 09:30, nisjet fillojnë të realizohen çdo 7 minuta. Sidoqoftë, ne jemi duke analizuar ankesën me kujdes dhe ju sigurojmë që sipas përvojave, do të ketë një arsye legjitime për këtë ankesë që nuk na bën të ndihemi mirë. Ne edhe njëherë ju kërkojmë falje qytetarëve për vonesën e 5 e më shumë minutave në kushte jo të mira atmosferike”, kanë thënë nga Trafiku Urban.

    Theksojmë se ankesat ndaj Trafikut Urban janë të shpeshta, së fundmi është raportuar për rast skandaloz se si shoferi si ‘kapadai’ ishte kapur me një gruan që në karroce po mbante fëmijën e saj.

    Ankesat qytetarët shpesh po i paraqesin edhe nëpër grupe të ndryshme nëpër rrjet sociale.

    Një pjesë e konsiderueshme përveç mungesave, ankohen edhe për jo profesionalizëm të shoferëve, të cilët shpesh i kanë cilësuar si shofer të filmave aksion, kjo për shkak vozitjes me shpejtësi tejet të madhe.

    Qytetarët që kanë ankesa, mund t’i drejtohen kontakteve si më poshtë:

    “Për çdo parregullsi apo informacion rreth qarkullimit të autobusëve, inkurajojmë qytetarët ti paraqesin në e-mailin [email protected], si dhe në numrat 045 10 11 22 dhe 045 10 11 23!“, thuhet nga Trafiku Urban për Insajderin.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark