×
  • Lajme
  • Lajme

    KDI akuzon SHSKUK-në për dëmtim të buxhetit me vlerë 57 mijë euro

    Insajderi
    20 July 2022 - 13:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Instituti Demokratik i Kosovës ka prezantuar të gjeturat nga analiza e dy kontratave të dhënë nga Shërbimi Spital Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) për furnizim me oksigjen, të cilët, sipas këtij instituti, i kanë shkaktuar humbje buxhetit publik rreth 57 mijë euro.

    Menaxherja e projektit, Diana Metushi Krasniqi, akuzoi SHSKUK-në për nënshkrim të kontratës përmes procedurave të negociuar me kompaninë “Medica” me furnizim të njëjtë, mirëpo 20 për qind më shtrenjtë për njësi.

    “SHSKUK, në fillim të pandemisë, 7 maj 2020, kishte lidhur kontratë kornizë me kompaninë ‘Medical Group’ për furnizim me oksigjen për inhalim për përdorim në menaxhimin e hipoksisë. Çmimi i kontratës për një kilogram oksigjen ishte 1.68 euro, në total kontrata parashihte që të porositeshin 485,736 kg. Mirëpo, vetëm dy muaj më vonë, më 23 korrik 2020, SHSKUK nënshkruan një kontratë tjetër përmes procedurës së negociuar me kompaninë ‘Medica’ për furnizim të njëjte, mirëpo këtë herë me çmim 2.01 euro për kg oksigjen, respektivisht rreth 20% më shtrenjtë për njësi. Sasia që është porositur përmes kësaj kontrate është 44,250 kg në vlerë prej 88,942.50 euro. Duke qenë së në kohën e zhvillimit të këtij prokurimi, SHSKUK veçse kishte një kontratë aktive me ‘Medical Group’, ka mundur që të njëjtën sasi ta porosisë përmes kësaj kontrate në çmim prej 14,602.50 euro më lirë”, ka theksuar ajo.

    KDI ka analizuar edhe një aktivitet tjetër të prokurimit që ka të bëjë me furnizimin me oksigjen të lëngshëm. Metushi-Krasniqi bëri të ditur se SHSKUK kishte pranuar tre oferta të përgjithshme me çmime prej 2 për qind deri në 21 për qind më lirë se kontrata aktuale.

    “SHSKUK më 1 prill 2021 publikoi aktivitetin e prokurimit ‘Furnizim me oksigjen medicinal për nevojat e SHSKUK’ për furnizim me 5.2 milionë litra oksigjen në vlerë të parashikuar prej 2.44 milion euro. Vlera e parashikuar për një litër oksigjen ishte 0.47 euro bazuar në kontratën paraprake me ‘Medical Group’. Për këtë tender, SHSKUK kishte pranuar tre oferta të përgjegjshme ‘Medical Group’ SH.P.K me çmimin për litër 0.38 euro ‘Liri – Med’ SH.P.K me çmimin për litër 0.46 euro dhe NPT ‘Medica’ me çmimin për litër 0.37 euro, me çmime prej 2% deri në 21% më lirë se kontrata aktuale. Megjithatë, pas rreth 50 ditësh nga dorëzimi i ofertave, ky tender ishte anuluar sipas kërkesës nga Barnatorja Qendrore nën arsyetimin se me uljen e rasteve me COVID-19 është zvogëluar edhe kërkesa për oksigjen medicinal”, vijoi Metushi-Krasniqi.

    Menaxherja e projektit theksoi se anulimi i procedurave të tenderit do të nënkuptonte që do të vazhdohej të bëheshin porosi me oksigjen me kontratën aktive e që ishte kontrata me ‘OE Medical Group’ me çmim 0.47 euro për litër, por që në muajin qershor 2021 kishte arritur në rreth 84% të sasisë së shpenzuar.

    Metushi-Krasniqi shtoi se SHKSUK kishte nënshkruar një kontratë të re duke përdorur procedurën e negociuar.

    “KDI ka gjetur se edhe pse është anuluar tenderi, SHKSUK vetëm gjatë muajve maj – gusht 2021, kur është nënshkruar një kontratë e re duke përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kishte porositur 428,000 litra oksigjen. Po të llogaritën me çmimin e kontratës ekzistuese 428,000 litra oksigjen kanë kushtuar 201,160 euro, ndërsa nëse do të nënshkruhej kontrata me kompaninë ‘Medica’ kjo sasi do të kushtonte 158,360 euro, respektivisht 42,800 euro më lirë”, tha ajo.

    Me 27 gusht 2021, SHKUK ka nënshkruar kontratë të negociuar me kompaninë “Medical Group” me çmim 0.36 euro për një litër oksigjen.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark