×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “KEK-u e ka buxhetin e vet” – çka tha sot para trupit gjykues Kryeshefi i dyshuar për keqpërdorim të buxhetit të shtetit (Deklarata)

    Insajderi
    20 April 2023 - 18:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj Kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ai po dyshohet për tri vepra penale; keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit si dhe konflikti i interesi.

    Prokuroria po pretendon se Nagip Krasniqi duke e përdorur pozitën e tij si kryeshef i KEK-ut, ka lidhur kontrata të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurorim Publik.

    Gjithmonë sipas prokurorisë me këto veprime Krasniqi ka dëmtuar buxhetin e shtetit të Kosovës.

    Gazeta Insajderi ka siguruar deklaratën që kryeshefi i KEK-ut e ka dhënë sot në seancën dëgjimore para trupit gjykues.

    Krasniqi nuk i ka pëlqyer fjalia e përdorur nga prokuroria se me veprimet e tij ka “dëmtuar buxhetin e shtetit”, rrjedhimisht ka prekur taksat e qytetarëve.

    Sipas tij KEK-u e ka buxhetin e vet e që ska të bëjë me buxhetin e shtetit.

    “…e kuptoj kërkesën e prokurores, por thjeshtë më duket si një konstrukt, pasi që prokurorja i referohet buxhetit të Kosovës, ndërsa KEK-u e ka buxhetin e vet, dhe nuk ka të bëj me tatimpagues asgjë. Se në tërësi pajtohet me pretendimet e theksuara nga mbrojtësi i tij dhe e konsideroj veten të pafajshëm. KEK është e vetmja kompani që e furnizon Kosovën me energji elektrike në masë të madhe, mos ekzistimi i funksionit të kryeshefit, pezullon të gjitha aktivitetet“, ka thënë ai.

    Krasniqi ka thënë se lidhjen e kontratës me “Litwin Sa” e ka bërë me qëllim që të mos paguanim energjinë elektrike me çmim më të lartë.

    Te rasti i riparimit emergjentë të bllokut A5, është e drejtë e imja si kryeshef të marr vendime lidhur me kontratën edhe pse ka rekomandime të ndryshme nga komisioni të departamentit të prokuorimit, përderisa nuk i shkaktoj dëm korporatës. Në rastin në fjalë, sikurse mos të nënshkruhej kjo kontratë, do të detyroheshim të importonim energji elektrike me çmime shumë të larta, dhe qëllimi ka qenë riparimi sa ma i shpejtë i kalldasë së bllokut A5“, deklaroi ai.

    Ndërkohë, sipas prokurorisë dyshimet janë se i pandehuri në këtë rast Kryeshefi i KEK-ut është marrë kundërligjshëm me shit-blerje të rrymës me qëllim pasurimi.

    “…ekzistojnë arsye të plota që nga veprimet e dyshuara të të pandehurit, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm i madh material kur kihet parasysh fakti se kemi të bëjmë me shitjen dhe blerjen e rrymës, problematikë kjo veç e njohur për tatim paguesit e shtetit tonë. Në anën tjetër, qëllimi final te këto vepra penale është përfitimi i kundërligjshëm pasuror për vete apo personin tjetër dhe shkaktimi i dëmit personit tjetër duke vepruar në kuadër të detyrave zyrtare”, thuhet në dosjen e siguruar nga Insajderi.

    Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Kransiqi do të qëndrojë në paraburgim deri më 19 maj.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark