×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Keqpërdorime me paranë publike – Pas raportimit të Insajderit, ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Suharekës dhe biznesmenit të përfshirë

    Insajderi
    30 November 2023 - 13:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër drejtorit të shërbimeve publike në Suharekë, Enver Shabanit, zyrtarit komunal, Berat Kabashit dhe biznesmenit Bujar Seferaj pasi dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”. Gazeta Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht për këtë rast rreth pesë muaj më parë.

    Gazeta Insajderi në prill dhe qershor të këtij viti kishte raportuar për keqpërdorim me një tender për ndërtimin e rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës. Dy muaj më vonë, Policia e Kosovës kishte arrestuar të dy zyrtarët komunal, Enver Shabanin dhe Berat Kabashin dhe biznesmenin Bujar Seferaj.

    Sipas aktakuzës së prokurorisë të datës 24 nëntor 2023, Enver Shabani dhe Berat Kabashi nga data 18 maj 2022 deri në prill 2023, në cilësinë e detyrës zyrtare për përfitim personal, me dashje kanë shkelur Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren për Prokurim Publik.

    Komuna e Suharekës kishte paguar operatorin ekonomik “SEFERI-CO” në vlerë prej 72,214.74 euro për ndërtimin e rrugëve “Rexhepi Velia – me segment ”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”.. në fshatin Mushtisht”, mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihej në kontratë.

    Në aktakuzë thuhet se në vitin 2022, Berat Kabashi dhe Enver Shabani kanë përpiluar dokumente fiktive dhe të rrejshme dhe kanë nënshkruar raportin e pranimit teknik duke konstatuar se kinse janë realizuar punimet sipas kontratës përderisa gjendja në teren ka qenë e pa realizuar.

    Gjendja në teren ka qenë e pa realizuar deri në kohën kur prokuroria së bashku me hetuesit kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore në këtë çështje penale, me ç’ rast të njëjtit të gjendur para një situate të tillë, në muajin prill të vitit 2023, në bashkëpunim me personin juridik – Operatorin Ekonomik me qëllim që t’i shmangen përgjegjësisë penale dalin në teren dhe shtrojnë rrugët e ridestinuara, të cilat rrugë nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë rezultojnë me dëme material“, thuhet në aktakuzë.

    Tutje, në aktakuzën e prokurorisë thuhet se trashësia mesatare e asfaltit në rrugët e shtruara është më e vogël se trashësia mesatare e paraparë në kontratë.

    Trashësia mesatare e asfaltit në segmentin “Manastiri”, “Hasan Basha” dhe “Guri i gjatë” rezulton të jetë 6.5 cm ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 1.5 cm, trashësia mesatare e asfaltit në rrugën “Bajram Kurti” është 7.53cm, ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia
    mesatare është më e vogël për 0.47 cm, trashësia mesatare e mbushjes me tampon në rrugën “Sadri Shasha” është 5.7 cm, ndërsa me kontratë është paraparë të jetë 10 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 4.3 cm
    “, thuhet tutje.

    Kështu, kompania “SEFERI-CO” përfitoi kundërligjshëm, ndërsa buxheti i Komunës së Suharekës u dëmtua në vlerë prej 8 mijë 651 euro.

    Me këto veprime i mundësojnë nga njëra anë Operatorit Ekonomik përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe nga ana tjetër i shkaktojnë dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 8,651.97 euro, pa llogaritur shkallën e dëmit në stabilitetin dhe jetëgjatësinë e rrugëve të punuara”, theksohet në aktakuzë.

    Në aktakuzën e ngritur thuhet se pronari i kompanisë “SEFERI-CO”, Bujar Seferaj nga data 17 maj 2022 deri në prill 2023 me dashje shkel procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk zbaton detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, me qëllim të përfitimit për vete duke i shkaktuar dëm buxhetor Komunës së Suharekës.

    I njëjti më datë 17.05.2022 nënshkruan kontratën e lartëcekur, në bashkëveprim me persona zyrtarë të
    Komunës së Suharekës, përkatësisht me menaxherin e kontratës B.K., në vitin 2022 përpilojnë procesverbale, situacione fiktive si dhe raporte fiktive për kryerjen e punëve, përmes kompanisë së tij, përderisa gjendja në teren ka qenë e pa realizuar. Me këto veprime kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së
    “, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren.

    Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që tre të dyshuarit e përmendur më lartë të shpallen fajtorë
    dhe të dënohen sipas ligjit
    .

    Ndërsa, Prokurori i Shtetit ka kërkuar nga gjykata që Enver Shabanit dhe Berat Kabashit përveç dënimit kryesor t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

    Ndërsa, biznesmenit Bujar Seferaj përveç dënimit kryesor t’i ndalohet ushtrimi i profesionit, veprimtarisë ose detyrës.

    Prokurori i Shtetit, konform dispozitave ligjore ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve B.K. dhe E.Sh., përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues – Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik. Si dhe B.S., dhe personi juridik- Operatorit Ekonomik, përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues – Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës“, thuhet në aktakuzën e prokurorisë. /Gazeta Insajderi

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark