×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    74 mijë euro dëm komunës – Apeli ia vazhdon edhe një muaj tjetër arrestin shtëpiak dy zyrtarëve të Suharekës

    Insajderi
    08 November 2023 - 16:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata e Apelit në fund të shtatorit ia ka zëvendësuar paraburgimin me arrest shtëpiak për një muaj Enver Shabanit, drejtor i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashit, zyrtar komunal. Një muaj pas, masa e arrestit shtëpiak iu është vazhduar përsëri të dy zyrtarëve edhe për një muaj tjetër. Ata po dyshohen se i kanë shkaktuar mbi 74 mijë euro dëm komunës përmes keqpërdorimit me tenderin e rrugës në Mushtisht.

    Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar, avokati Blerim Mazreku.

    Ju ka vazhduar arresti shtëpiak. Na ka ardh vendimi për vazhdimin e arrestit shtëpiak edhe për një muaj tjetër. Ndaj këtij vendimi kemi parashtruar ankesë.“, tha avokati Blerim Mazreku.

    Ndërsa, nga Prokuroria Themelore në Prizren thanë se hetimet po vazhdojnë, por, nuk kanë dhënë më shumë detaje lidhur me rastin.

    Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, për rastin të cilit i referoheni është në fazën e zhvillimit të hetimeve ndaj E.Sh., për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera“, tha zyrtarja për media, Fitore Mehmeti- Sejrani.

    Gazeta Insajderi në prill dhe qershor të këtij viti kishte raportuar për keqpërdorim me një tender për ndërtimin e rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës. Dy muaj pas, Policia e Kosovës kishte arrestuar të dy zyrtarët komunal, Enver Shabanin dhe Berat Kabashin.

    Shabani dhe Kabashi dyshohet se kanë përfituar nga detyra e tyre duke shkelur ligjin e Prokurimit Publik.

    Të pandehurit: Berat Kabashi dhe Enver Shabani prej datës 18.05.2022 deri ma datë 12.12.2022 në Suharekë duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë duke shfrytëzuar detyrën nuk i përmbushin detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfardo dobie për vete dhe personat e tjerë“, thuhet në dokumentin të cilin e ka parë Insajderi.

    Kompania e kontraktuar për të kryer punimet në këto rrugë ishte “SEFERI-CO” sh.p.k. Edhe pse pagesa u krye për operatorin ekonomik, rrugët Rexhep Velia, Tafa, Jetush Shala, Haxhi Shania janë ende të pashtruara.

    Policia e Kosovës kishte arrestuar edhe biznesmenin Bujar Seferaj i cili është pronar i kompanisë “SEFERI-CO”. Ai po dyshohet se ka falsifikuar fatura për ndërtimin e disa rrugëve në Suharekës.

    Sipas njoftimit të Policisë thuhet se i dyshuari (Bujar Seferaj) në bashkëveprim me persona zyrtar të komunës së Suharekës dhe menaxherin e kontratës pas përpilimit të procesverbaleve dhe situacioneve fiktive si dhe raportit fiktiv për kryerën e punëve lidhur me ketë tender, kompania ka lëshuar faturat për realizim të punëve me çka edhe janë realizuar pagesat nga komuna e Suharekës, ku në realitet punët apo shtrimi i rrugëve sipas kontratës nuk është realizuar.

    Në prill të 2022’ës, Komuna e Suharekës kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 74 mijë e 214 eurove për ndërtimin e rrugëve të përmendura më sipër.

    Për të shtuar këto rrugë, për të cilat njëherë u pagua e nuk u punuan, Komuna e Suharekës ka hapur tenderin për të dytën herë më 24 mars 2023 në vlerë prej 150 mijë eurove.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark