Shtatë zyrtarë komunal dhe dy biznesmen janë arrestuar pasditen e hënë pasi krimet ekonomike zbarkuan në Lipjan me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në mesin e nëntë personave të arrestuar për keqpërdorime përgjatë punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magure Komuna e Lipjanit është edhe biznesmeni Metë Bytyqi. Përpos tij, Gazeta ka publikuar ekskluzivisht edhe emrat e personave tjerë të arrestuar.
Policia e Kosovës, Departamenti për Krime Ekonomike ka arrestuar të hënën nëntë persona si të dyshuar se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit’’ dhe veprën penale të ‘’Mashtrimit’”. Shuma që po akuzohen se kanë përfituar është 300 mijë euro.
Në mesin e të arrestuarve është edhe pronari i kompanisë përfituese, biznesmeni Metë Bytyqi. Sipas ARBK’së Bytyqi është pronar i dy kompanive që janë kontraktuar në fazën e dytë të punimeve për Rregullimin e stadiumeve në Dobrajë të Madhe dhe Magure, shkruan Gazeta Insajderi.
Operatorët Ekonomik, “KONAKU GROUP SH.P.K.” dhe “N.P. KONAKU”, kanë fituar tenderin e hapur nga komuna e Lipjanit në vlerë 118 114,03 Euro për rregullimin e stadiumeve.
Zyrtarët komunal të arrestuar kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magure Komuna e Lipjanit, kinse janë kryer punimet sipas kontratës së fituar nga kompania “Konaku Group Sh.p.k” pa u kryer fare.
Kush janë personat e tjerë të arrestuar
Gazeta Insajderi ka zbuluar emrat e nëntë personave të arrestuar:
Kushtrim Salihu
Xhelil Murati
Labinot Dedushi
Valzim Mziu
Ismet Jashanica
Enver Elshani
Rrahman Olluri
Metë Bytyqi
Driton Gashi
Aksioni i policisë në Lipjan
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se janë arrestuar nëntë persona, të dyshuar se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit’’ dhe veprën penale të ‘’Mashtrimit’”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se personat e arrestuar në cilësinë e personave zyrtar, si anëtarë të Komisionit teknik kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magure Komuna e Lipjanit, kinse janë kryer punimet sipas kontratës së fituar nga një kompani.
Po ashtu, gjatë këtij aksioni është ndaluar edhe një (1) person, përgjegjës i Kompanisë në fjalë. Ndërkaq, personat e lartcekur me këto veprime dyshohet se i kanë shkaktuar dëme buxhetit komunal në vlerë rreth treqind mijë (300.00) euro”, thuhet në komunikatë.