×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Kërkesat për Putin, testet nukleare nën dhe mbi tokësore, dhe frika në kufirin Kazako-Rus

    Insajderi
    05 December 2023 - 15:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Teksa Rusia paralajmëron për rrezikun gjithnjë e në rritje të një lufte nukleare dhe marrëdhënieve me SHBA-në, prej muajsh të ngrira, komunitetet shumë pranë siteve të testimeve nukleare të periudhës sovjetike, në veri të Kazakistanit, kanë një mesazh për liderët botërore, së pari për Joe Biden e Vladimir Putin.

    Banorët e këtyre zonave kujtojnë se qindra teste nukleare janë mbajtur në zonë mes viteve 1949-1989, shumë pranë qytetit të Semey, që dikur njihet me emrin Semipalatinsk, shumë pranë kufirit Kazako-rus. Rrezatimi kishte një impakt shkatërrues, për mjedisin e shëndetin e banorëve, që ende sot vijon të marrë jetë, edhe në moshë të re.

    Ekspertët e armëve dhe rrezatimit nuklear, besojnë se ende sot ndihen efektet e atyre testeve me super-fuqi nukleare, edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga testimi i fundit. Por tensionet që pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, e rikthejnë frikën drejt retorikës armiqësore dhe përdorimit të armëve sovjetike, të papërdorura që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Në fillim të nëntorit, presidenti rus Vladimir Putin e tërhoqi Rusinë nga traktati global i vitit 1996 që ndalonte testet e armëve nukleare. Moska tha se nuk do të shkojë drejt testimit të tyre, nëse Amerika nuk e bën e para këtë.

    Kur pajisjet u vendosën nëntokë, deri në vitin 1963, kur testet zhvilloheshin nëntokë, autoritetet urdhëronin banorët, vendasit, që të dilnin nga shtëpitë, shkollat, godinat pasi i frikësoheshin shembjes së tyre, për shkak të dridhjeve të fuqishme. Ende sot, pas më shumë se 3 dekadash, autoritetet e kanë të pamundur të flasin me shifra e të dhëna të sakta të impaktit të atyre testimeve në Kazakistan. Por shkencëtarët thonë se materiale radioaktiv, në nëntokë, thithja e grimcave radioaktive në ajër dhe konsumi i ushqimeve të kontaminuara, përfshirë bagëtinë, ka kontribuar ndër vite, madje ende sot, në rritjen e rrezikut të sëmundjeve kancerogjene.

    Fshatrat Kaynar dhe Saryzhal, janë të parat, më të ekspozuarat ndaj rrezatimit të atyre testeve.

    Mes viteve 49-89, janë realizuar atje, më shumë se 450 teste nukleare, më shumë se 100 prej tyre mbi sipërfaqe, teste atmosferike ndërsa pjesa tjetër nëntokë. Pas vitit 1963, ato nisën nëntokë pasi hyri në fuqi marrëveshja e ndalimit të përdorimit në atmosferë, hapësirë apo nën ujë sepse konsideroheshin si shumë të dëmshme. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, në vitin 1991, Moska nuk pati më akses në sitin kazak. Ekspertët nuklearë thonë se edhe nëse dikush vendos të kryejë teste nukleare, ato do duhet të jetë nën tokë, pasi përbëjnë rrezik për ambientin dhe shëndetin njerëzor.

    E mbaj mend, kam qenë 5 vjeç, shumë i vogël. Na thanë që aty do zhvilloheshin disa trajnime. Në një pikë, nuk dilnim më nga shtëpia dhe nga pluhuri, nuk shihnim më as malin Delegen. Por sigurisht që ne ishim të vegjël, ishim kuriozë e dilnim fshehtas. Fillimisht, ngrihej pluhur i verdhë, më pas i zi. Të rriturit na merrnin me forcë e na largonin.

    Ata paralajmëron këdo dhe thoni: dilni nga shtëpitë nga shkollat nga godinat, rrini jashtë. Në shumë raste, shtëpitë shembeshin në pak sekonda. Të gjithë rrinim jashtë. Shtëpitë dridheshin shumë. Abazhurët, dritaret, gjithçka thyhej.

    Kam qëndruar kështu dhe kam parë. Kam qenë lideri i një toge që transportonte mjetet motorike për ushtrinë. 3 minuta para testimeve, nisnim evakuimin e personelit të sigurisë dhe rojet. Kush nuk mund të dilte në kohë, ikte përgjithmonë. Ne rrinim e shihnim. Testet ndodhnin. Më pas ngrihej për minuta, e orë të tëra, pluhuri. Nëse era vinte në drejtimin tonë, mbylleshim ku të mundnim.

    Ne kemi punuar për vite me shërbimin e personelit. Llogarisnim metrat e rrezatimit, para çdo testi. Sapo vija në kompani, kontrolloja metrat e rrezatimit. Kur arrinte një pikë të caktuar, linim punën dhe largoheshim. Pas nesh, vinte turni tjetër. Kjo ishte mënyra sesi punonim, duke matur metrat çdo minutë.

    Mbanim maska të zakonshme kundra gaz. A mund të na mbronte? Vetëm nga gazi. Por nga rrezatimi nuklear, absolutisht jo. Asnjë maskë nuk shërbente për atë. Asgjë s’mund të na mbronte nga ai rrezatim.

    KAIRBEK KUSAINOV – VETERAN LUFTE, ISH-USHTARAK

    Ne kemi shërbyer me një inxhinier ndërtimi në batalion. Përgatisnim detonatorët. Bënim gati predhat me duart tona. Në atë kohë nuk e dinim sa të dëmshme ishin. Madje në atë kohë I thonim të tjerëve që nuk ishin të dëmshme. Sepse ishte e ndaluar të flisje ndryshe. Kur ishim 20 vjeç, ishim të bindshëm. Dinim të gënjenim. Na thonin që duhet të martoheshim, e bënim. Kuptuam më pas që në moshën 30 vjeç, nisnin problemet. Kolegë tanë vdiqën në të 30-tat.

    Në ditët e shpërthimeve na linin jashtë. Toka dridhej nën këmbët tona. Na thonin vazhdimisht se s’do na gjente gjë. Më vonë e kuptuam sa do të vuanim. Çdo letër që ne shkruanim, edhe për familjarët tanë, kontrollohej. Nëse shkruaje diçka që nuk duhej, letra nuk nisej.

    Ne, ushtarët, punonim nga mëngjesi në mbrëmje. Në një mensë ushqeheshim 300 burra. Dhe në total kishte 10 mensa. Imagjinoni sa shumë ushtarë kishte. Nuk bëhej fjalë për civilë, vetëm ushtarë. Shumë më vonë e kuptuam se në atë vend kryheshin teste, që do rezultonin vdekje-prurëse. Shumë nga tanët vdiqën. Shumë pak ia dolën të jetojnë deri në 70 vjeç.

    SAYIT ABISH – VETERAN LUFTE

    Fillimisht dëgjoje një zhurmë të madhe. Më pas gjithçka niste të dridhej e lëvizte e zhurmë. Zgjaste disa minuta. Menjëherë më pas vinte një helikopter ushtrie. Nuk e di se nga vinte, por duhet të ishte afër. Ushtria kishte zyrat e saj këtu në fshatin tonë. Me helikopter vinin ekspertë po ashtu. Ata kontrollonin rezultatet e testimit. Kishin instrumentet e tyre.

    NURSLYAM ESMAGAMBETOV – INXHINIER

    Kam bërë një operacion. Marr shumë ilaç. Nuk jetoj në kushte normale shëndetësore.

    Babai im vdiq kur ishte 58 vjeç. Edhe vëllezërit e mi dhe motra e vetme kanë vdekur. Të gjitha në moshë të re. ishin thuajse fëmijë dhe nuk e kuptonim çfarë kishin. Askush nuk guxonte të kundërshtonte qeverinë.

    DMITRY VESELOV

    Problemet e mia shëndetësore lidhen me sistemin e frymëmarrjes. Kam po ashtu dhëmbë të këqij. Nga artriti kam vuajtur thuajse të gjithë jetën. Gati të gjithë ne jemi privuar nga një jetë normale.

    Kjo është motra ime, Saule. Ajo ka lindur në vitin 1961. Në shkollë ia doli deri në klasë të tretë. Është viktima e gjallë e testeve nukleare, e sëmurë që në fëmijëri. Kemi shkuar në doktorë të ndryshëm. Ajo nuk del kurrë nga shtëpia, në fakt nuk ka dalë jashtë që në moshën 8-vjeçare.

    Nuk bën dot asgjë vetëm. Unë kujdesem për të. Edhe te doktori, e çoj me sy të mbyllur.

    Gjatë kohës kur testet realizoheshin këtu, bomba më e afërt binte në fshatin fqinj, gati 18 km më tutje. Nga ajo kohë gjer më sot, të gjithë kemi vuajtur pasojat. Jetonim këtu kur bëheshin testet, ende këtu jetojmë. Ku do shkonim tjetër. U mësuam këtu. I mbijetuam vështirësive. Kur këtu ndodhnin shpërthime, ne shkonim në shkollë. Imagjinoni sa njerëz kanë mbetur të vdekur nga ato shpërthime. Leukemia u përhap menjëherë brenda pak viteve. Imagjinoni sa 25-vjeçare kanë vdekur si pasojë e sëmundjeve. Sa vajza 18 apo 20 vjeçe kanë kryer vetëvrasje. Të gjitha këto janë pasoja të atyre shpërthimeve.

    Sot mendoj që pasojat ende nuk janë zhdukur. Kur Rusia zgjodhi këtë vend për të testuar bombën e saj atomike, e bëri për të treguar forcën që kishte. Dhe kam frikë se sot, Putin po kërkon të bëjë të njëjtën gjë.

    Ne jemi njerëzit që pamë me sytë tanë pasojat e testeve e aktivitetit nuklear. Nëse ato testime përsëriten, popullsia e të gjithë botës do të mbetet viktimë. Shpresoj që njerëzit të mësojnë nga gabimet e së shkuarës. Nëse do të jetë e nevojshme, ne do ta tregojmë historinë tonë kudo. Nëse ato ripërsëriten, njerëzimi do të zhduket.

    YBYRBAY SERIKBAY

    Në bashkëpunim me autoritetet shtetërore, ia dolëm të vijmë këtu, në vendin ku ndodhnin shpërthimet, në krater. Siç e dini, kanë kaluar më shumë se 50 vjet. Niveli i rrezatimit, nga ajo kohë, është normalizuar. Ekspertët ma kanë thënë këtë. Siç edhe mund ta kontrolloni vetë, nuk ka shenja rrezatimi në ujë.

    MAMAY BUTABAYEV

    Sot ende ne nuk jemi në dijeni të ndonjë raporti zyrtar se çfarë ka ndodhur këtu në ato kohë. Kemi kërkuar një të tillë nga Fizika Nukleare, nga Qendra Nukleare Kombëtare, ata na kanë thënë se do e mbajnë situatën nën kontroll. Mesa di unë, fermerët vendas, disa prej tyre i njoh personalisht, e bëjnë vetë vëzhgimin. Dhe nuk kanë zbuluar më rrezatim. Ndoshta diçka ka mbetur diku thellë por shenja sot, nuk shohim më.”/a2ccn/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    15 May 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark