×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Këshilli Prokurorial: Kuvendi bëri shkelje ligjore me shkarkimin e Agron Bekës

    Insajderi
    15 December 2023 - 22:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), e ka cilësuar shkelje ligjore vendimin e Kuvendit të Kosovës për të shkarkuar Agron Bekën nga pozita e anëtarit të KPK-së.

    Për shkarkimin e Bekës kanë votuar 62 deputetë ndërsa s’ka pasur asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

    Në një reagim nga KPK kanë thënë se institucioni i vetëm kompetent në bazë të legjislacionit në fuqi, për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale të anëtarëve është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij.

    “Mbi të gjitha, KPK-ja thekson se vendimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës është një tentativë e madhe politike për të ndërhyrë në përbërjen aktuale të anëtarëve të KPK-së, duke krijuar para opinionit publik një pasqyrë të rreme faktesh dhe argumentesh, me synimin e vetëm për të penguar funksionimin normal të këtij organi të pavarur kushtetues dhe ligjor. Kjo ndërhyrje për KPK-në është cenim i funksionimit të rregullt të saj”, thuhet në reagimin për media.

    KPK më tej ka deklaruar se “Agron Beka ka ofruar mjaft prova, duke demantuar plotësisht pretendimet e pabaza që dërguan deri te ky shkarkimi joligjor, andaj Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes këtij reagimi publik, bënë me dije përfundimisht se të gjitha insinuatat e partisë politike në pushtet janë shpifje, fyerje dhe keqpërdorim i besimit qytetar”.

    “Kjo vërtetohet me vendimin e sotëm për shkarkimin e z.Beka, pa pasur asnjë argument ligjor, por vetëm me qëllim të denigrimit të figurës së tij dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre politike dhe krejt kjo pas gjashtë tentimeve për ta vënë në rend dite”, thuhet tutje në reagimin e KPK-së.

    KPK-ja ka vlerësuar se Agron Beka gjatë angazhimit të tij nuk ka pasur asnjë vërejtje në ushtrimin e detyrës dhe asnjë shkelje e aq më pak procedurë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark