Një gjobë rekord është vendosur ndaj klubit Koln, që e ka pësuar për shkak të spektaklit piroteknik të ultrasve në derbin me M’Gladbach. I luajtur në datën 22 tetor, dhe i fituar 3-1 nga Koln.
Tifozët vendas dhuruan “show” përpara nisjes së derbit të zjarrtë. Për disa minuta stadiumi dhe fusha u mbuluan nga tymueset, flakadanët dhe mjetet e tjera piroteknike.
Fillimi i ndeshjes u shty për disa minuta për shkak të tymit të madh, teksa veprimi i ultrasve të Kolnit nuk u prit aspak mirë nga autoritetet gjermane.
Pas rreth 2 muajsh nga derbi, Komiteti i Kontrollit në Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) ka gjobitur Koln për përdorimin e fishekzjarrëve me 595 mijë euro!
Kurrë më parë një klub profesionist gjerman nuk ka marrë një gjobë kaq të lartë për probleme të shkaktuara nga tifozët e tij. Nga kjo shumë, 198,000 euro do të investohen në masat e sigurisë apo parandalimin e dhunës.