×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    KMDLNj rekomandon kamera afër kontejnerëve të mbeturinave në Prishtinë

    Insajderi
    24 July 2023 - 14:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka ngritur si shqetësim menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, duke thënë se është menaxhimi i keq, që nga cilësia, numri, lokacioni ku janë të vendosur kontejnerët e deri te grumbullimi, mbledhja dhe largimi i tyre.

    KMDLNj shtron pyetjen se çfarë logjike ka të mbingarkohen sheshet si ai “Adem Jashari“, “Zahir Pajaziti“ dhe “Skënderbeu” me panaire të ndryshme, shërbime gastronomike etj. kur platoja mbi Pallatin e Rinisë ka hapësirë të mjaftueshme dhe nuk shfrytëzohet fare.

    “KMDLNj–ë rekomandon drejtorinë përkatëse në komunën e Prishtinës të bëjë një incizim të gjendjes ekzistuese të kontejnerëve dhe pikave të grumbullimit të mbeturianve si dhe deponisë së mbeturinave. KMDLNj –ë rekomandon që në të gjitha pikat ku janë të vendosur kontejnerët të mbulohen me kamera në mënyrë që abuzuesit me mebturina të dënohen për shkeljet eventuale që i bëjnë”, thuhet në reagim.

    Reagimi i KMDLNj – së:

    PRISHTINA, “QYTET METROPOLITAN”, APO DEPONI E PLEHRAVE!

    Pas zgjedhjeve lokale të fundit dhe pasi kryetar u zgjodhë Përparim Rama, arkitekt, qytetarët e Prishtinës besuan se qyteti i tyre do të marrë tjetër pamje për faktin se një profesionist i fushës shumë lehtë dhe drejtë i identifikon problemet sikur edhe prioritetet për zgjidhjen e tyre. U bënë disa veprime për lirim të hapësirave publike kurse, në anën tjetër po lëshohen me qira hapësirat publike që janë shumë të domosdoshme për lirinë e lëvizjes së qytetarëve. Çfarë logjike ka të mbingarkohen sheshet si ai “Adem Jashari“, “Zahir Pajaziti“ dhe “Skënderbeu” me panaire të ndryshme, shërbime gastronomike etj. kur platoja mbi Pallatin e Rinisë ka hapësirë të mjaftueshme dhe nuk shfytëzohet fare. Nuk ka asnjë logjikë ekonomike që sheshet të lëshohen për shërbime gastronomike duke dëmtuar gastronomët që kanë lokale, paguajnë taksa, qira, kontribute tjera dhe fuqi punëtore gjatë 12 muajve sikur që krijojnë papastërti të madhe në sheshe dhe nxisin ngatërresa për shkak të konsumimit të pakontrolluar të pijeve alkoolike. Qentë endacakë përsëri janë rikthyer në sheshet e Prishtinës duke krijuar një pasyrë të keqe për kryeqytetin e Kosovës sikur që i rrezikojnë edhe qytetarët e Prishtinës dhe vizitorët, në radhë të parë të fëmijëve, femrave dhe të të moshuarve sidomos nëse janë afër kontejnerëve ku vendosen plehrat. Ka indikacione se qentë endacakë po sillen nga qytetet tjera të Kosovës dhe po “zbarkohen“ në Prishtinë.

    Aktualisht problemi kryesor i Prishtinës është menaxhimi i keq me mbeturina, që nga cilësia, numri, lokacioni ku janë të vendosur kontejnerët e deri te grumbullimi, mbledhja dhe largimi i tyre. Në shumë vende ku janë të vendosur kontejnerët, më shumë ka mbeturina jashtë kontejnerëve, se brenda tyre. Era kundërmuese paraqet problem të madh për banorët, kalimtarët si dhe objektet gatsronome dhe bizneset tjera. Pastaj, mbeturinat jashtë kontejnerëve tërheqin një numër të madh të qenve endacakë të cilët e konsiderojnë si “territor të vetin“ andaj edhe sulmojnë kalimtarët e rastit sikur që bartin mbetje ushqimore në hapësira tjera. Kontejnerët janë të dëmtuar, nuk mirëmbahen si duhet prandaj qentë endacakë, në mungesë të kapakëve, hyjnë brenda kontejnerëve. Në këto temperatura jashtëzakonisht të larta, menaxhimi i keq i mbeturinave lehtësisht mund të shkaktojnë sëmundje, sidomos për grupet e cenueshme. KMDLNj–ë vlerëson se edhe qytetarët nuk tregohen të disiplinuar duke mos i hedhur mbeturinat në kontejnerë por në hapësira rreth tyre sikur edhe aty ku i kanë më afër. Hedhja e materialeve inerte paraqet problem të madh për punëtorët e “Pastrimit“ shkaku se ata kryesisht i marrin mbeturinat që janë në kontejnerë. KMDLNj–ë po dyshon se kjo po bëhet me qëllim që një operator tjetër të merret me menaxhimin e mbeturinave.

    KMDLNj–ë rekomandon drejtorinë përkatëse në komunën e Prishtinës të bëjë një incizim të gjendjes ekzistuese të kontejnerëve dhe pikave të grumbullimit të mbeturianve si dhe deponisë së mbeturinave. KMDLNj –ë rekomandon që në të gjitha pikat ku janë të vendosur kontejnerët të mbulohen me kamera në mënyrë që abuzuesit me mebturina të dënohen për shkeljet eventuale që i bëjnë. Të gjithë kontejnerët duhet të ndërrohen, sidomos at që janë të dëmtuar, pa kapakë dhe nga të cilët ka rrjedhje që barten edhe në lokacionet jashtë duke shpërndarë kundërmimin dhe papastërtinë. KMDLNj –ë kërkon të përmirësohen kushtet për të punësuarit e “Pastrimit“ dhe të merren seriozisht rekomandimet e cekura në lartë në mënyrë që të krijohet një mjedis më i shëndetshëm për qytetarët e Prishtinës dhe vizitorët. Në të kundërtën qytetarët duhet të reagojnë në mënyrë të organizuar në mbrojtje të mjedist ku jetojnë dhe shëndetit të tyre, si të drejta të njeriut.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark