×
  • Lajme
  • Insajderi

    Koha kur Ivanoviq kërkonte me çdo kusht krijimin e Asociacionit, “frikën” më të madhe të Kurtit

    Insajderi
    17 January 2023 - 13:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-politikani serb, Oliver Ivanoviq i cili u vra rreth pesë vitë më parë në Mitrovicën Veriore, kishte kërkuar me çdo kusht krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

    Ivanoviq kishte bërë apel edhe nga burgu për t’u krijuar Asociacioni dhe të mos presin leje nga autoritetet kosovare.  

    Në një intervistë të vitit 2017 në gazetën “Vreme”, Ivanoviq deklaronte se marrëveshja në fjalë ishte nënshkruar në Bruksel dhe duhej aplikuar njëanshëm sikurse disa pika të tjera.

    “Prandaj në vitin 2014 kam bërë apel nga burgu që menjëherë të fillohet me formimin e organit të ZSO-së dhe të mos presin leje nga Prishtina.  Bëhet fjalë për diçka që është nënshkruar në Bruksel dhe që duhet ta kishim aplikuar në mënyrë të njëanshme, ashtu siç kemi aplikuar në mënyrë të njëanshme disa pika të tjera”, citohet të ketë thënë Ivanoviq, transmeton Insajderi.

    Politikani serb, kishte pretenduar të ndryshonte situatën në terren, gjegjësisht serbët ta formonin vetë Asociacionin.

    Ivanoviq ishte akuzuar nga EULEX-i për krime lufte në Kosovë, përkatësisht në Mitrovicë. Në vitin 2016, Vetëvendosje e kujtonte vazhdimisht si kriminel lufte.

    Ndërsa tani kur kreu i kësaj partie, Albin Kurti është në krye të vendit, ka ndryshuar deklaratat. Në një video të publikuar në Facebook, Kurti ka kujtuar ish-politikanin serb me fjalët më të përzgjedhura, gjë që ka irrituar opinionin.

    Vlen të theksohet se qëndrimet e Kurtit për Asociacionin janë skajshmërisht të kundërta me ato të Ivanoviqit.

    Kryeministri e potencon vazhdimisht se Asociacioni bie ndesh me frymën e Kushtetutës së Kosovës, ndërsa thekson se nuk do e zbatojë një marrëveshje që është nënshkruar nga paraardhësit e tij. /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark