×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Koha kur pushteti e kishte referencë Prokurorinë Speciale për shkarkimin e Bordit të KEK-ut, sot e sulmon rëndë atë

    Insajderi
    20 April 2023 - 13:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Tri vjet më parë, atë kohë qeveria në detyrë e Albin Kurtit e kishte shkarkuar Bordin e Korporatës Energjetike të Kosovës.

    Menjëherë pas këtij vendimi kishte reaguar partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke publikuar një listë prej 13 pikave që sipas saj ishin gjetjet bazë, që rezultuan me shkarkimin e Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

    Përmes një shkrimi në Facebook, VV-ja në pikën e 13-të i referohej Prokurorisë Speciale.

    “Aktakuza ndaj drejtorit: Në prill 2020, Prokuroria Speciale ka ngritur akt­akuzë ndaj anëtarit të bordit të shkarkuar dhe disa zyrta­rë­ve të lartë të KEK-ut për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyr­tare në lidhje me pro­nën e ndër­marrjes. Dëmi i shkaktuar sipas aktakuzës është rreth 12 milionë euro”, thuhej në pikën e Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, sot, tri vjet më vonë nga ky postim i Lëvizjes Vetëvendosje – partia në pushtet e ka sulmuar Prokurorinë Speciale.

    Sulmin më të rëndë e bëri vetë Albin Kurti, edhe atë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, kur foli për arrestimin e Nagip Krasniqit.

    “Është e vërtetë që dje u arrestuar kryeshefi Nagip Krasniqi. Është sistemi drejtësisë ai që merret me të. Urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe përpikëri. Është fakt që pati një gëzim opozitar për arrestimin e tij, është fakt i opozitës jo i çështjes. Në të kaluarën ka pasur keqpërdorime marramendëse por nuk janë trajtuar nga prokuroria. Fitimi i KEK-ut në 2022 ka qenë 107 milionë euro. Udhëheqja e KEK’ut ka deponuar në të kaluarën faktr për keqpërdorime, por zelli i prokurorisë për t’u marrë me faktet e keqpërdorimet e mahershme ka qenë zero”, ka thënë Kurti, rshkruan Gazeta Insajderi.

    Kurti pretendon se ky rast ka ndodhur për shkak të mosemërimit të Blerim Isufajt kryeprokuror të Shtetit.

    “Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit dhe atë sa më lart aq më shumë, ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe kjo lidhet më shumë se me askë tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Një prokuror i njohur në skenën publike i cili rastin e vrasjes së Dino Hasanajt e shndërroi në vetëvrasje”.

    “Dhe përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane, me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo pse jam unë. Jo pse jeni ju. Por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë, edhe popull”, tha Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kryeministri i quajti prokurorët “njerëz të cilët ende nuk janë pajtuar me rezultatin e 14 shkurtit 2021”.

    Kurti tha se Blerim Isufaj, aktualisht kryeprokuror në Prokurorinë Speciale, nuk ka fituar asnjë rast në gjykatë dhe nuk ka lëvizur përkundër se, siç tha, AKI i ka ofruuar fakte dhe dëshmi “pa numër” për barrikadat e ngritura nga strukturat paralele në veri.

    “Agjencioni i Kosovës për Inteligjencë, pa numër dëshmi, pa numër fakte i ka dërguar prokruroisë gjatë muajit dhjetor dhe janar për 16 barrikadat e strukturave paralele në veri të Kosovës. Asnjë aktakuzë. si është e mundur që AKI i dërgon aq shumë fakte prokurorisë sonë dhe ajo nuk vepron”, tha Kurti. “Dhe duan të merren me presidenten tonë”, tha tutje kryeministri, shkruan Gazeta Insajderi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark