Ekipi kombëtar i Kosovës do të grumbullohet sot në Prishtinë, për t’i nisur përgatitjet për tri ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022, që do të zhvillohen në fillim të shtatorit.
Një pjesë e futbollistëve mbërritën në Kosovë të dielën, ndërsa pjesa tjetër që ishin të zënë me ndeshje të ekipeve të tyre dje, do të mbërrijnë sot.
Kosova është ende në kërkim të fitores së parë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e saj.
Kjo është hera e dytë që kombëtarja verdhekaltër merr pjesë në kualifikimet e Botërorit dhe ato i nisi keq përsëri, pasi i humbi të dy ndeshjet e para në Grupin B, kundër Spanjës dhe ndaj Suedisë.
Dardanët do të përballen me Gjeorgjinë më 2 shtator në udhëtim, para se të rikthen në Prishtinë për dy ndeshjet e vështira ndaj Greqisë më 5 shtator dhe ndaj Spanjës më 8 shtator.
Grupit i prin Spanja me 7 pikë, e ndjekur nga Suedia me 6, derisa Kosova ngel e fundit pa pikë.