Skuadra është nisur paraditen e sotme nga aeroporti i Tiranës për të mbërritur në mesditë në kryeqytetin çek, ku u akomoduar menjëherë në hotel.
Departamentin i Komunikimit në FSHF bën me dije se vetëm mesfushori Qazim Laçi nuk ka udhëtuar me grupin dhe nuk do të jetë i gatshëm për shkak të gjendjes gripale.
Mesfushori ka qëndruar në Shqipëri dhe stafi teknik shpreson ta ketë në dispozicion për ndeshjen e dytë ndaj Polonisë, që luhet më 10 shtator. Pjesa tjetër e grupit është e plotë dhe të gjithë gëzojnë formë të mirë.
Në aeroport delegacioni kuqezi u prit edhe nga Ambasadori i Shqipërisë në Republikën Çeke, Ilirian Kuka, i cili u takua me ekipin e stafin teknik dhe u uroi suksese në këtë ndeshje të rëndësishme për objektivat e kuqezinjve në kualiifikueset e Europianit 2024.
Kombëtarja do të zhvillojë seancë zyrtare stërvitore në ora 18:00 në stadiumin e ndeshjes, ndërkohë që po sot trajneri Sylvinho do të jetë në konferencën zyrtare për shtyp në stadiumin e ndeshjes.