23:12 - 28 Maj 2022

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e tretë në kuadër të përgatitjeve për katër ndeshjet e muajit qershor në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Edhe në seancën e sotme Dardanët kanë punuar me përkushtim të madh, teksa përzgjedhësi Alain Giresse ka dhënë instruksionet e tij rreth lojës të cilën dëshiron ta aplikojë në ndeshjen e parë kundër Qipros, më 2 qershor.

Atmosfera në ekipin kombëtar është shumë e mirë dhe përkundër faktit se jemi në një fazë të fundit të sezonit, forma e lojtarëve është shumë e mirë dhe të gjithë janë maksimalisht të përqendruar në punë dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin në ndeshjet e qershorit, të cilat mund të jenë përcaktuese për ecurinë e Dardanëve në Ligën e Kombeve.

Sulmuesi anësor Edon Zhegrova pas stërvitjes është shprehur i kënaqur me punën e deritashme dhe ka shprehur optimizmin e tij për një cikël të suksesshëm në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

“I kemi filluar shumë mirë përgatitjet dhe gjithçka po shkon si duhet. Është shumë e rëndësishme që ta nisim nga ndeshja e parë me fitore dhe ky është qëllimi ynë sepse kjo do të na japë vetëbesim për ndeshjet e radhës”, ka theksuar Zhegrova për faqen zyrtare të FFK-së, përcjell arbresh.info.

Ai tutje ka thënë se fakti që luajmë katër ndeshje brenda pak ditëve pas një sezoni të gjatë me klubet e tyre nuk e brengos, ngase grupi i bashkëlojtarëve gëzon formë të mirë dhe fanella e Kombëtares u jep motiv shtesë.

“Shumica e lojtarëve kanë pasur sezon të mirë të klubet e tyre dhe nuk do të jetë vështirë, pasi është gjithmonë nder kur e përfaqësojmë Kombëtaren e Kosovës. Këto janë ndeshje shumë të rëndësishme për ne dhe për gjithë Kosovën, andaj shpresojmë të arrijmë sa më shumë rezultate pozitive. Qëllimi ynë është të jemi të parët në grup dhe të arrijmë sa më lart. Duhet të luajmë çdo ndeshje për fitore”, ka shtuar Zhegrova.

Ai në fund ka dhënë edhe një mesazh për tifozët “Dardanët”, të cilët pret ta stërmbushin stadiumin “Fadil Vokrri” në dy ndeshjet si vendas kundër Greqisë dhe Irlandës së Veriut.

“Dardanët si gjithmonë i pres në stadium me shumë entuziazëm dhe të na përkrahin në mënyrën qysh ata dijnë. Shpresoj që stadiumi të jetë i plotë që të kemi përkrahje më të madhe dhe në fund ne t’i shpërblejmë me fitore dhe me lojë të mirë”, ka nënvizuar anëtari i skuadrës franceze, LOSC Lille.

Nesër Kombëtarja e Kosovës do të ketë vetëm rigjenerim në hotel, teksa stërvitjeve u rikthehet ditën e hënë