Shqipëria mori pikë shumë të rëndësishme të enjten mbrëma në Pragë. Kuqezinjtë luajtën 1:1 me Çekinë në kuadër të Grupit E të kualifikimeve për Euro 2024.
Barazimi në udhëtim me favoriten e grupit është rezultat shumë pozitiv për Shqipërinë. Çekët kanë dominuar në fushën e lojës, por supergoli i Nedim Bajramit solli pikën e madhe për Shqipërinë.
Në minutën e 66-të, Jasir Asani preku topin lehtë duke e larguar një lojtari çek. Topi shkoi te Nedim Bajrami që bëri disa hapa anash para se të “lansoi” goditjen e magjishme. Ai shënoi për 1:1 me goditje nga rreth 25 metra largësi.
Çekia kaloi në epërsi në minutën e 56-të. Pas një vendosje të gabuar të mbrojtjes së Shqipërisë, topi erdhi te Vaclav Çerny në zonë. Ai goditi saktë për 1:0. Goli fillimisht u anulua për pozitë jashtë loje, por u pranua pas rishikimit të situatës në VAR. Më herët një gol i çekëve u anulua pas rishikimit të VAR-it.
Pas barazimit, Etrit Berisha bëri pritje vendimtare, ndërsa një kundërsulm i kuqezinjve nuk u shfrytëzua si duhet. Mirlind Daku ishte në kundërsulm, ndërsa në një situatë tre kundër një bëri zgjedhjen e gabuar – pasimin jo të saktë për Arbnor Mujën. Daku e Muja debutuan te Shqipëria.
Në përgjithësi çekët kanë krijuar më shumë por Shqipëria mori pikën e madhe që e mban fuqishëm në garë për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm.
Pas katër ndeshjeve të luajtura, Shqipëria është e dyta me shtatë pikë. Çekia udhëheq me tetë pikë. Polonia renditet e treta me gjashtë pikë, e më pas është Moldavia me pesë dhe Ishujt Faroe me një pikë.
Të dielen, Shqipëria e pret Poloninë në Tiranë, në ndeshjen që mund të vendos shumëçka. Në tetor, Shqipëria e pret edhe Çekinë. Pra është në situatë të favorshme, falë edhe supergolit të Nedim Bajramit.