Shqipëria është grumbulluar të hënën për dy ndeshjet më të rëndësishme kualifikuese për “Euro 2024”.
Te Shqipëria janë shumë të motivuar për t’i kaluar me sukses dy ndeshjet e këtij muaji, kundër Çekisë dhe Polonisë. Për t’i fituar dy ndeshjet, sulmuesi Sokol Çikalleshi thotë se duhet të luajnë si një trup i vetëm. Nedim Bajrami thotë se përkrahja nga tribunat do të jetë e rëndësishme për futbollistët në fushë.
Kuqezinjtë ndeshjen e parë e luajnë të enjten kundër çekëve në Pragë, kurse të dielën luajnë kundër Polonisë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Çikalleshi thotë se ëndrra e futbollistëve është kualifikimi në Evropianin që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani. Ai me Shqipërinë ka qenë pjesëmarrës në Evropianin e mbajtur në vitin 2016, ndërsa shpreson ta përsëritë të njëjtin sukses.
“Mendoj se ky grumbullim është ndër grumbullimet më të rëndësishme të Kombëtares gjatë gjithë këtyre viteve. Janë dy ndeshje që duhet të jemi shumë të fokusuar dhe angazhimi duhet të jetë maksimal. Për mua është kënaqësi e dyfishtë sepse e kam përjetuar një Evropian dhe nëse do të përjetoj për herë të dytë karriera me Kombëtaren do të kishte një kuptim tjetër. Shpresoj që si unë, ashtu edhe lojtarët e tjerë që e kanë arritur në vitin 2016, të mundohemi të bëjmë diçka më shumë jashtë fushe për të dhënë mesazhin e duhur te grupi që fokusimi dhe angazhim të jetë maksimal”, ka thënë Çikalleshi.
Çikalleshi është duke kaluar formë të mirë në Turqi me fanellën e Konyasporit. Ai ka shënuar tri gola në katër paraqitje. Ka edhe një asistim.
Çikalleshi ka kujtuar edhe golat që në të kaluarën i ka shënuar ndaj Çekisë dhe Polonisë.
“Goli që i kam shënuar Çekisë është një nga golat më të bukur të karrierës. Të përsëris diçka të tillë do të ishte kënaqësi për mua. Ishte thjesht një miqësore. Nuk duhet të mbetem tek e shkuara. I kam shënuar edhe Çekisë edhe Polonisë. Por me Çekinë ishte miqësore dhe goli ndaj Polonisë nuk kishte vlerë sepse u mundëm. Nëse unë apo dikush tjetër të shënojë gjysmë goli dhe të merrnim tre pikët do të ishte shumë me vlerë”.
Sulmuesi me përvojë insiston se Shqipëria është para një momenti të rëndësishëm.
“Nuk jemi Kombëtare që e arrijmë Botërorin çdo 2-4 vjet. Tashmë kemi mundësinë të realizojmë një ëndërr për ne, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Ky është frymëzimi më i mirë. E kemi arritur vetëm njëherë, kemi mundësi ta bëjmë sërish. Këto dy ndeshje janë më të rëndësishmet. Nuk dua të flas vetëm për ëndrrën për t’u kualifikuar. Mund të hapë punë ndeshja që është me Ishujt Faroe apo Moldavinë më vonë. Por duke qenë se ne kemi një objektiv të qartë, që ne duhet të kualifikohemi, atëherë ne duhet të nisim që nga ndeshja me Çekinë dhe të harrojmë ndeshjet e tjera. Në ndeshjen me Çekinë duhet të futemi për të marrë rezultatin maksimal, për të marrë 3 pikët. Nëse nuk e arrijmë atë gjë, atëherë duhet të mos dalim të humbur”, është shprehur Çikalleshi.
Përkrah Çikalleshit në konferencë për shtyp ishte mesfushori Nedim Bajrami. Bajrami ishte vendimtar për Shqipërinë në qershor.
Ai shënoi nga një gol në fitoret e Shqipërisë kundër Moldavisë, 2:0, dhe Ishujve Faroe, 3:1. Kundër Ishujve Faroe dha edhe një asistim.
“Isha shumë i lumtur që i shënova dy gola. Tani me Çekinë kemi një ndeshje shumë të vështirë. E dimë që është një kundërshtar fizikisht i fortë, por ne e përgatisim ndeshjen sa më mirë. Jemi të gjithë çunat gati dhe do e japim maksimumin për këtë ndeshje”, ka thënë Bajrami.
Ai luan për Sassuolon në Serie A të Italisë. Bajrami thotë se do ta jap maksimumin ndaj çekëve dhe polakëve.
“Kam folur edhe me trajnerin, më ka ndihmuar shumë. Më ka ndihmuar mentalisht dhe jam shumë i lumtur që ka ardhur Sylvinho këtu. Duhet të vazhdoj kështu, që në ndeshjen me Çekinë ta ndihmoj skuadrën edhe një herë. Me rëndësi është që të marrim tri pikët. Siç tha edhe Çikalleshi, nëse nuk i marrim tri pikët rëndësi ka të mos humbim”, ka thënë Bajrami.
Shqipëria për dy ndeshjet e këtij muaji ka ftuar për herë të parë edhe dy lojtarët kosovarë, sulmuesit Arbnor Muja dhe Mirlind Daku.
Në Grupin E, udhëheq Çekia me shtatë pikë nga tri ndeshje. Shqipëria i ka gjashtë pikë nga tri ndeshje, ndërsa Moldavia është e treta me pesë pikë nga katër ndeshje. Polonia ka mbetur prapa duke mbledhur vetëm tri pikë në po aq takime. Ishujt Faroe kanë vetëm një pikë.