×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kompania ‘Cima Construction’ nuk merr përgjegjësi për shembjen e dheut në Prishtinë, por e kompenzon pronarin e veturës

    Insajderi
    06 October 2023 - 12:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjatë ditës së djeshme u shemb dheu në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen e Muhaxherëve, në një objekt banesor ku është në ndërtim e sipër nga Kompania ‘Cima Construction’. Si pasojë e shembjes së dheut një veturë ka rënë poshtë në gropë, dhe është çarë muri i një shtëpie, shkruan Insajderi.

    Në vendin e ngjarjes dje kishin dalur edhe inspeksioni i Komunës së Prishtinës.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me kompaninë e cila është duke e kryer ndërtimin e objektit banesor ‘Cima Construction’ të cilët thanë se nuk e dinë se faji i kujt është, pasi që çdo gjë e kanë punuar konform rregullave siç ua ka dhënë lejen Komuna e Prishtinës.

    “Ata smuna me thane une se i kujt o faji, na kemi punu sipas projektit, qe është dhëne me leje ndërtimore nga Komuna e Prishtinës, konform rregullave, po tash ka rrëshqite dheu, këto ndodhin, ndodhin edhe ne vende te tjera me rrëshqit dheu, dmth ajo është punua sipas lejes se Komunës. Komuna e ka lëshu lejen e ndërtimit, lejen e sigurimit, është punua komform krejt standardit qysh punohet, as na s’mujna me ditë pse ka ndodh”.

    E përkundër që thonë se nuk është faji i tyre për rrëshqitjen e dheut, nga Kompania thanë se kanë marrë hapa që t’i kompenzojnë dëmet e shkaktuara ndaj qytetarëve.

    “Na kemi marre hapa për stanimin e situatës aty dmth me rregullu gropën, me siguru punishten me vazhdu punën, ne si kompani do ta rregullojmë atë pjesën e parkingut të kojshive”.

    Derisa, nga Cima Construction treguan për Insajderin edhe për veturën e cila kishte rënë dje në fund të gropës nga rrëshqitja e dheut.

    “Vetura u kon e dikujt, mirëpo është rregullu çështja e veturës, zyrtaret e kompanisë tonë kanë biseduar me pronarin, qa ka nevoje ose naj dëm ne i përgjigjemi”, thanë nga ‘Cima Construction’ për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark