×
  • Hulumtime/Analiza
  • Aktuale

    Kompania farmaceutike që fitoi gjysmë milion euro nga tenderët publikë gjatë pandemisë

    Insajderi
    01 October 2020 - 11:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Njomza Salihi

    “Exclusive Corporation” SH.P.K, kompania e themeluar vetëm tri vjet më parë, ka fituar miliona euro përmes tenderëve publikë në fushën e mjekësisë. Vetëm gjatë muajve të fundit të pandemisë e njëjta ka përfituar rreth gjysmë milion euro.

    Biznesmeni nga Gjilani, Burim Shkodra, ka përfituar mijëra euro nga prokurimet publike në Kosovë, vetëm përgjatë muajve maj-shtator.

    Ai është pronar i firmës farmaceutike “Exclusive Corporation” SH.P.K, me seli në Prishtinë, e cila është themeluar më 22 qershor 2017, sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimet të Bizneseve.

    Megjithëse kjo kompani është shume e vonshme në tregun farmaceutik, kjo s’e ka penguar rritjen dhe profitin e saj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Që nga maji e deri në shtator “Exclusive Corporation” SH.P.K – ka marrë rreth gjysmë milioni euro – nga tenderët e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

    Një nga tenderët më me peshë që kompania e ka marrë gjatë këtij viti, ka qenë ai i datës 11 maj.

    “Exclusive Corporation” SH.P.K ka qenë përfituese e kontratës të emërtuar: Furnizim me Citostatik nga Lista Esenciale për nevojat e SHSKUK-së”. Vlera e përgjithshme e saj ka qenë 222 mijë e 300 euro.

    Tenderët e “Exclusive Corporation” SH.P.K ndër vite

    Pavarësisht pandemisë dhe gjendjes së krijuar në vend, 2020-ta, nuk ka qenë viti me më së shumti fitime për “Exclusive Corporation” SH.P.K, së paku deri tash.

    Piku i biznesit të Burim Shkodrës, ka qenë pikërisht në vitin kur edhe e ka themeluar kompaninë farmaceutike, më 2017.

    Atë kohë afaristi gjilanas nga prokurimet publike kishte përfituar hiç më pak se 2 milion e 361 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në dy vitet tjera pas themelimit fitimet e kompanisë së Shkodrës kanë qenë më të pakta.

    Më 2018 “Exclusive Corporation” SH.P.K në buxhetin e saj nga kontratat publike ka shtuar rreth 227 mijë euro, ndërsa më 2019 edhe 247 mijë të tjera.

    Që nga krijimi i saj e deri sot, kompania e cila merret me tregtinë e barërave, ka fituar gjithsejtë 26 kontrata publike, vlera e të cilave ka shkuar mbi 3 milion e 300 mijë euro.

    “Lidhjet” e Burim Shkodrës me MSH-në, një tender emergjent dhe një licencë e shpejt për importim barnash

    Burim Shkodra nuk është pronari i vetëm kësaj kompanie farmaceutike. Ai ka nën menaxhimin e tij edhe ndërmarrjen tjetër me emrin “Exclusive” SH.P.K.

    Të njëjtën ai e ka themeluar në mars të 2008-ës dhe përmes saj ka fituar edhe kontrata të tjera publike, kryesisht nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës dhe nga Ministria e Shëndetësisë.

    Për tenderet e marrë nga kjo e fundit, kompania dhe emri i Burim Shkodrës ishin përmendur edhe në rastin gjyqësor, i njohur si “Tolaj, Bukoshi”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ilir Tolaj, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, akuzohej atë botë nga prokurorja Maria Bamieh për tentim dhe shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie nga tatimi dhe pengim i të provuarit.

    Ish-ministri Bujar Bukoshi akuzohej se ishte takuar me operatorë ekonomikë, para vendimeve për nënshkrim kontratash, ndërsa i ishte konfirmuar akuza për shpërdorim detyre dhe të autorizimeve.

    Bamieh në një nga proceset gjyqësorë të 2013-ës, ishte interesuar për një takim të vitit 2007 mes Tolajt dhe Shkodrës, shkruan Gazeta Insajderi

    Shkodra e kishte arsyetura këtë takim para gjyqit. Kishte thënë se Tolajn e kishte pasur ligjerues-asistent gjatë studimeve të tij.

    Pikërisht më 2007 pronari i “Ekskluziv” SH.P.K kishe fituar një tender emergjent nga Minsitria e Shëndetësisë, dhe kishte fituar lehtësisht licencën për importim barnash, vetëm brenda disa ditësh, po nga kjo ministri, në një kohë kur kompanitë tjera mjekësore prisnin shumë për një licencë të tillë./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark