×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Komuna e Prishtinës tejkalon vlerën e parashikuar, shpërblen me kontratë mbi 1 milionë euro kompaninë e bashkëshortit të ish-deputetes së LDK-së

    Insajderi
    05 June 2024 - 15:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Prishtinës i ka dhënë tender mbi 1 milionë euro kompanisë “Benita” që për pronar ka Nexhat Kalludrën, i cili është bashkëshorti i ish-deputetes së LDK-së, Mirjeta Kalludra. Komuna madje ka tejkaluar edhe shifrën e parashikuar, ndonëse kishte kompani që kishin ofertuar çmime shumë me të lira se ajo që u shpall fituese. Ky tender është edhe në Gjykatën e Tenderëve, pasi një kompani ofertuese është ankuar për shkelje.

    Gazeta Insajderi

    Me 30 maj komuna e Prishtinës ka shpallur fitues të tenderit “Rekonstruimi i rrugës Rexhep Luci dhe Qamil Hoxha“.

    Në garë ishin pesë kompani, tre prej tyre kishin ofertuar çmim me të ulët se kompania fituese.

    Me kontratë prej 1 milionë euro e 300 mijë u shpërblye Grupi i Operatorëve Ekonomik Flamuri V dhe Benita Company Sh.P.K.

    Ndërsa u eliminuan nga gara edhe një kompani që kishte çmim të lirë 800 mijë euro, krahasuar me shumën që u dha.

    Vlera e parashikuar e këtij tenderi ishte 1 milionë e 100 mijë, ndërsa komuna ka tejkaluar vlerën për 200 mijë euro kur shpërbleu kompaninë “Benita” me këtë kontratë.

    Ndonëse në njoftimin e Komunës thuhet se tenderi u dha për çmim ekonomikisht me të favorshëm

    Ankesat ndaj Komunës

    Një nga kompanitë që ka ofertuar në këtë tender është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit se Komuna ka kaluar vlerën e parashikuar dhe ka shpërblyer kompaninë me çmimin më të shtrenjtë.

    Sipas tyre me këtë tender Komuna e Prishtinës ka dëmtuar buxhetin.

    Ndërsa sipas kompanisë që është ankuar, grupi i operatorëve që është shpërblyer nuk ka përmbush edhe kriteret e parapara siç është ajo e përvojës në staf.

    Mungon lista e punëtorëve, dhe garancioni nuk është nënshkruar nga partneri i konzorciumit “Benita Company“, shkruhet në ankesë teksa kërkohet që rishqyrtohet ky tender.

    Lidhja e LDK-së me kompaninë “Benita”

    Në ARBK pronar i “Benita Company” figuron Nexhat Kalludra dhe Hesen Kalludra. Ndërsa drejtor menaxhues Hekuran Kalludra.

    Nexhat Kalludra, pronari i kompanisë është edhe bashkëshorti i deputetes së LDK-së, Mirjeta Kalludra.

    Gazeta Insajderi ka pyetur edhe kompaninë fituese se a ka ndikuar afërsia me LDK-në, por të njëjtit janë përgjigjur se nuk ka lidhje kjo.

    Ne nuk fitojmë tender vetëm në komunat e LDK-së, ne kemi kontrata të lidhura edhe me Komuna të tjera që udhëhiqet nga PDK, AAK dhe parti të tjera“, thanë nga kjo kompani.

    Kompania e Hesen Kalludrës në listë të zezë të OSHP-së

    Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka përjashtuar në prill të vitit 2024 nga prokurimi publik për një periudhë tre mujore biznesnemin Hesen Kalludra, pronarin e “Benita Fruits”. Ai kishte bërë shkelje ligjore në një tender publik përmes një firme tjetër të tij, kompanisë “Asfalt Group”.

    Biznesmeni nga Klina, Hesen Kalludra, ka aplikuar për të përfituar një tender nga Komuna e Prizrenit, ndonëse nuk i plotësonte kushtet për të lidhur kontratë publike.

    Kishte borxhe në Administratën Tatimore. Konkurrimi pa i shlyer borxhet e ka nervozuar Zyrën e Prokurimit në Prizren. E kanë denoncuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Kanë kërkuar që të futet në listën e zezë. OSHP’ja ka përkrahur kërkesën e Komunës së Prizrenit. Ka futur kompaninë në listë të zezë kompaninë “Asfalt Group”. Tre muaj do të zgjasë përjashtimi i biznesmenit Kalludra nga prokurimet publike. Suspendimi vlen nga data 28 shkurt e deri më 27 maj të këtij viti.

    Kalludra përpos që është pronar i firmës “Asfallt Group”, është edhe pronar i firmës “Benita Fruits”

    Komisioni vlerësues i tenderit të emërtuar “Rregullimi i infrastrukturës në lagjen Dardania 2-Projekt dy vjeçar”,  kishte rekomanduar si fitues firmën e Kalludrës, në nëntor të vitit 2023.

    Ligji përcakton se në një afat të shkurtër kohor fituesi i tenderit duhet të dorëzoj të gjitha dokumentet e kërkuara.

    “Konform dispozitave të LPP’së deklaron se i kemi kërkuar dëshmitë-vërtetimet në lidhje me kërkesat e përshtatshmërisë, vërtetimin e ATK, vërtetimin e Gjykatës Themelore dhe vërtetimin e tatimit në pronë”, thuhet në kërkesën e Komunës së Prizrenit dorëzuar në OSHP.

    Kompania fituese e tenderit nuk kishte arritur që të dorëzonte dokumentet. Kishte aplikuar përkundër faktit se nuk ishte paguese e rregullt e tatimit. Kishte borxhe ndaj shtetit.

    Në vend të dorëzimit të dokumenteve të kërkuara, kompania kishte dërguar këtë përgjigje në Zyrën e Prokurimit.

    “Me keqardjhje ju konfirmojmë se ne si kompani nuk jemi të gatshëm që të dorëzojmë dokumentacionin e kërkuar për shkak se kemi obligim ndaj ATK dhe nuk mund ta nxjerrim Vërtetimin nga ATK. Andaj kërkojmë falje për vonesë në përgjigjen tonë, por kjo ka ndodhur si shkak i angazhimit tonë për kompletim të dokumentacionit”, thuhet në përgjigjen e “Asfalt Group”

    Veprimi i kësaj kompanie është në kundërshtim me nenin 25.9 të Rregullorës për Prokurim Publik

    Po ashtu, kjo kompani nuk i ishte përgjigjur kërkesës së OSHP’së për të treguar versionin e tyre lidhur me denoncimin e bërë nga Komuna e Prizrenit, në nëntor të vitit 2023.

    “Afati kohor për dorëzimin e dokumentacionit të përmendur është jo më shuëmë se 5 ditë nga marrja e njoftimit të Autoritetit Kontraktues për synimin e dhënies së kontratës”, thuhet në vendimin e OSHP’së.

    Duke marrë për bazë mos respektimin e këtij afati, OSHP ka vendosur që kjo kompani të futet në listën e zezë duke u përjashtuar kështu nga konkurrimi në tenderët publik, për një periudhë të caktuar kohore.

    Vendimin e OSHP’së mund ta gjeni KËTU.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark