×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Konkurs sa për sy e faqe, në ministrinë e Elbert Krasniqit “punësohet” njeriu që veç ishte moti aty

    Insajderi
    20 September 2022 - 10:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka hapur një konkurs për pozitën e vozitësit që të kryejë shërbimet e vozitjes së zyrtarëve dhe stafit të institucionit”, mirëpo pas një hulumtimi të Insajderit ky konkurs është hapur vetëm sa për sy e faqe, pasi që njeriu që do ta punësohet zyrtarisht, vetëm se është duke e kryer këtë punë tash e sa kohë, shkruan Insajderi.

    Gazeta Insajderi

    Ylber Bajraktari, është emri i përzgjedhur në listën e ngushtë të personave, ku sipas listës së publikuar, ai ka përmbushur kriteret e përcaktuara që të vazhdojë më tutje.

    Aplikimi është hapur nga data 01.09.2022 dhe ka qenë i hapur deri me 16.09.2022, për pozitën vozitës.

    Me datën 16 shtator, është publikuar lista e personave në listën e ngushtë, ku është publikuar edhe emri i Ylber Bajraktarit, si një prej aplikuesve që i ka përmbushur kriteret e përcaktuara. Mirëpo në përzgjedhjen e Ylberit si duket ka ndikuar lidhja e tij me Ministrin Krasniqi, të cilët janë shfaqur përkrahë njëri tjetrit disa herë.

    Sipas fotove të siguruara nga Gazeta Insajderi, Ylber Bajraktari, ka afërsi me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Sipas një njoftimi të MAPL, me katër (4) gusht, Elbert krasniqi ka vizituar Komunën e Zveçanit, derisa me të ishte edhe Ylber Bajraktari.

    Gjatë asaj kohe nuk ka qenë i hapur konkursi për pozitën e vozitësit, mirëpo Ylberi, ka qenë duke e kryer këtë detyrë.

    Me 21 gusht të vitit 2021, është publikuar fotografia më poshtë, në profilin e Ylber Bajraktarit.

    Në një rreth familjar, shihet ministri Elbert Krasniqi së bashku me Ylber Bajraktarin, të cilën njihen që moti.

    Sipas postimeve në profilin e tij në Facebook, Ylber Bajraktari, shihet se është edhe përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje.

    Madje në një foto të tij, të publikuar në mars të këtij viti, Ylberi shihet përkrahë deputetit të kësaj partie, Mefail Bajqinovcit.

    Gjithashtu në janar të këtij viti, në profilin e tij personal Ylberi e kishte vendosur fotografinë e Vetëvendosjes, duke e treguar hapur përkrahjen e tij ndaj VV-së.

    Gazeta Insajderi para një jave ka provuar të kontaktojë me Elbert Krasniqin, ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, mirëpo i njëjti vetëm e ka injoruar mesazhin e redaksisë.

    Nga MAPL në një përgjigjje për Insajderin kanë thënë që në kuadër të komisionit vlerësues do të zgjidhet ai që i plotëson kriteret.

    “Ju njoftoj juve dhe gjithë opinionin publik se konkursi është i hapur dhe publik, si dhe i inkurajoj që secili/a që i plotëson kriteret e parapara në konkurs të aplikon.

    Konform përgjegjësive që kam si Sekretare e Përgjithshme e MAPL-së, në kuadër të komisionit vlerësues, unë do të jem kryesuese e komisionit dhe do të zgjedhet ai/ajo i/e cila plotëson kriteret sipas konkursit publik të shpallur nga MAPL”, ishte përgjigjja e MAPL.

    Gazeta Insajderi poashtu ka provuar të kontaktojë edhe me Ylber Bajraktarin, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti ai nuk është përgjigjur.

    Derisa ministria e Krasniqit edhe para disa muajsh ishte në qendër të vëmendjes për punësime të njerëzve të Vetëvendosjes.

    Burri i ministres Haxhiu, Alban Krasniqi, ish-kandidati për kryetar të Malishevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka fituar një pozitë në qeverinë e Albin Kurtit.

    Ai ishte emëruar Këshilltar i jashtëm politik i Elbert Krasniqit, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, kishte zbuluar Gazeta Insajderi.

    Ministri Elbert Krasniqi, pati reaguar pas lajmeve për emërimin e Alban Krasniqit si këshilltar në kabinetin e tij.

    Krasniqi kishte shkruar se përvoja e ish kandidatit për kryetar të Malishevës, është tejet e dobishme dhe për këtë arsye ndihet i nderuar që është pjesë e ekipit të tij duke dhënë këtë kontribut pa pagesë, dhe pa ndikuar në buxhetin e shtetit.

    Alban Krasniqi i bashkohet ekipit tim, si këshilltar i jashtëm politik, përvoja e tij në qeverisjen lokale është tejet e dobishme dhe për këtë arsyje ndihem i nderuam që ai është tashmë pjesë e ekipit tonë duke dhënë këtë kontribut pro bono (pa pagesë), pra pa ndikuar në buxhetin e shtetit“, ishte reagimi i Krasniqit pas punësimit të burrit të ministres Haxhiu, Alban Krasniqi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark