Hendbollistet e Kosovës U17 kanë dalë triumfuese në kampionatin “IHF Trophy” për zonën evropiane, që u organizua në Prishtinë prej të mërkurës deri të dielën.
Hendbollistet e reja të Kosovës të dielën patën tjetër paraqitje të mirë, duke e mposhtur në finale Bosnjë-Hercegovinën, me rezultatin 39:33.
Kosova që nga fillimi krijoi epërsi të cilën e mbajti deri në fund. Në pushim mes pjesëve shkoi me rezultatin me gjashtë gola epërsi, 20:14.
Në pjesën e dytë, nikoqiret e administruan mirë lojën, kurse skuadra mysafire u mundua ta përmbyste rezultatin, por pa ia arritur.
Në fund, Kosova U17 iu gëzua fitores me gjashtë gola dallim.
Me këtë fitore, Kosova U17 ka siguruar fazën interkontinentale dhe e hap rrugën për në Botëror.
Në Botëror, “Dardanet” e reja kualifikohen në rast se shfaqin sukses edhe në fazën interkontinentale.
Kosova U17 ishte në Grupin A me Azerbajxhanin dhe Bullgarinë.
Grupi B përbëhej nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Britania e Madhe dhe Gjeorgjia.
Të gjitha ndeshjet janë zhvilluar në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë.
Rrugën drejt triumfit, Kosova U17 e nisi me Azerbajxhanin duke shënuar fitore të thellë, 49:8.
Më pas, fitoi përballë Bullgarisë me rezultatin 35:25, ndërsa në gjysmëfinale e eliminoi Gjeorgjinë, pas fitores 28:19.