×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kosova ime

    Insajderi
    16 November 2020 - 10:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Jam rritur me idenë e të drejtave të njeriut, e përmend në vazhdimësi këtë, sepse ishte baza e ngritjes time si i ri e më pas si profesionist. Do vazhdoj të kem këtë pikëpamje se liria është fryma për gjithçka. Prandaj dhe s’mund ta pranoj që i shtypuri të akuzohet për të njëjtat veprime si të shtypësit. Ky i shtypur kur u çlirua, mbase dhe ka gabuar shumë, dhe duhet me gjasë të marrë leksionet e veta, por jo dënim për periudhën e rezistencës të luftës kundër regjimit serb dhe ish jugosllav…

    Nazim Rashidi

    “Më 12 shkurt 2002 filloi në Hagë gjyqi ndaj ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç, i cili akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë konfliktit të Serbisë me guerilasit shqiptarë në vitin 1999. Ai akuzohet gjithashtu lidhur me luftërat në Bosnjë dhe Kroaci.

    Akuzat specifike kundër Millosheviçit dhe katër prej ndihmësve të tij më të lartë përfshijnë masakrën e 500 shqiptarëve të cilët përmenden me emrat individualisht në fshatra si Reçaku dhe Izbica. Ata akuzohen gjithashtu për deportimin e 740 mijë shqiptarëve nga Kosova – gati një e treta e popullsisë shqiptare të Kosovës”, ky ishte një nga dhjetëra e qindra raportime që bëheshin pranë BBC-së, në vitet kur punoja për këtë organizatë mediatike e që përfshin periudhën e fillimit të konfliktit në vitin 1999 e deri pas periudhës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mu kujtuan këto raportime sepse terminologjia që përdoret këto ditë, po nga Haga, por tani për akuzat për krerët e lartë të ish UÇK-së duken të ngjashme.

    “Krime kundër njerëzimit”, “krime lufte”, “akte çnjerëzore”, “torturë”, “zhdukje me forcë e personave”, janë disa nga fjalët që përmenden ndaj të akuzuarve, ish krerët e UÇK-së.

    “Millosheviçi planifikoi, nxiti, urdhëroi, dhe kreu ose përndryshe ndihmoi dhe ishte bashkautor në planifikimin, përgatitjen dhe zbatimin e persekutimit”, thuhej në akt padinë ndaj Millosheviçit.

    Në raportimet e kohës përshkruhej masakra e Izbicës, që ishte pjesë e padisë. Ja çfarë thuhej: “Ajo që ngjau në fshatin e thellë të Izbicës është tipike e shumë fakteve të përfshira në padinë e ngritur kundër Millosheviçit. Më 27 mars të vitit 1999, tre ditë pas fillimit të sulmeve të NATO-s kundër Jugosllavisë, ushtria serbe dhe forcat policore hynë në Izbicë pasi e kishin bombarduar më herët. Ata ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët për t’i çuar në kodrat përreth e për t’i ekzekutuar. Sipas prokurorëve të gjykatës ndërkombëtare për krimet e luftës në Hagë, më shumë se 130 vetë u vranë. Por fshatarët thonë se mizoria më e keqe ndodhi kur serbet u rikthyen pas gjashtë javësh dhe morën kufomat nga varret. Ata nuk gjenden më ku janë”.

    Ndjesia që marrim të gjithë është se tentohet të barazohen krimet e regjimit serb të kohës me dyshimet e krimeve, që thuhen se janë bërë nga ish krerët e UÇK-së.

    “Le të shohë Perëndimi se kë ka mbrojtur”, thanë zërat nga Rusia dhe Serbia dhe jehona e akuzave dhe procesit gjyqësor duket se ka bërë të harrohen masakrat dhe viktimat e një regjimi dhe ushtrie të fuqishme që vriste e dëbonte njerëz dhe një ushtrie që u krijua si reagim i kësaj dhune. Por kanë të drejtë ata që thonë se s’është koha për emocione. Por për një reagim të matur e të argumentuar. Dhe për këtë arsye i përmend akuzat e kohës ndaj Millosheviçit dhe regjimit serb sepse në disa raste më duket edhe vetë kemi harruar se çfarë ndodhte atëherë dhe çfarë po ndodh tani.

    E them këtë sepse në disa raste po vë re që nuk ka një ndarje të qartë të veprimit të personazheve të akuzuar sot në Hagë, me kohën e tyre kur ishin UÇK dhe me veprimet e tyre si politikanë pas luftës. Duhet thënë prerë e qartë, se lufta në Kosovë ishte rrjedhojë e shtypjes serbe me vite. Organizimi për t’u mbrojtur nga kjo shtypje s’mund dhe s’kish se si të ishte në përmasa gjenocidale, se një anë ishte dhunuese e një tjetra mbrojtëse.

    Kjo as rastësisht nuk duhet të vihet në dyshim. Më bëri tej mase përshtypje kur një komentues nga Prishtina tha se “në Kosovë ka lehtësim, që Hashim Thaçi nuk është pjesë e politikës”. Këtu ka një anakroni të madhe sepse Thaçi, Veseli e të tjerët e politikës duhet të sjellin “lehtësim” kur do ikin nga skena politike për shkak të betejave politike dhe keqqeverisjes për çka akuzohen nga rivalët politik. Por jo dhe në asnjë mënyrë të relativizohet “ikja” e tyre nga skena politike, për shkak të akuzave të rënda për krime.

    Unë nuk jam nga ata që jam kundër të merremi edhe me demonët tonë. Pra nëse janë bërë krime nga UÇK le të diskutohen edhe ato. Por ngatërrimi me dashje apo dhe padashje e veprimeve të kohës së luftës dhe asaj e pas luftës, apo dhe barazia mes regjimit serb dhe UÇK-së është e dëmshme për të gjithë.

    Për këtë gjë për mua kanë përgjegjësi edhe vetë eksponentët politik që dolën edhe nga ish UÇK që se mbajtën lartë me gjithë vlerat e saj sakrificën dhe vuajtjen e shqiptarëve. Pikërisht ata eksponentë të luftës që më pas vunë kollare e u bënë politikanë duhej mos të njollosin as edhe një fije idealet. Janë ata që këtu e andej lejuan lëkundje të vlerave, madje edhe mbi të cilat u ngrit rezistenca. Janë edhe ata që ngatërruan lirinë me pushtetin, dhe e përdorën atë për përfitimet personale. Lejuan për pasurime ardhjen e ideologjive dhe ndikimeve fetare që asnjëherë s’ishin pjesë e jona. Lexoni ndër të tjera komentet poshtë lajmeve ku Jakup Krasniqi thotë “s’jam as katolik e mysliman por jam shqiptar”. Një shkëputje totale e asaj që ne jemi mësuar ta shohim si shqiptarizëm. Me dhjetëra komente ku në krye theksohet identiteti fetar, madje shprehen me lehtësinë më të madhe edhe ofendime ndaj qëndrimeve si ai i Krasniqit.

    Pa dyshim që fajtor për këtë përplasje mes vizionit ndër shqiptarë kanë pikërisht ata politikanë që në këtë 20 vjeçar lejuan për pak para, vota e pushtet, degjenerimin e vlerave tona. Dhe jo, s’duhet të heshtim për këto. As për faktin që korrupsioni dhe klientelizmi u bë normë. As për faktin tjetër se nuk u përforcua arsimi dhe edukimi me nivelet të kohës. Ata janë fajtorë edhe për mungesë largpamësie pasojat e të cilave mbase do t’i vuajmë gjatë. Por sërish, ne si shoqëri duhet të ngrihemi përtej këtij banaliteti të politikës e mos të lejojmë qoftë dhe rastësisht të ngatërrohet vuajtja dhe shtypja e kohës dhe rezistenca me dështimet politike.

    Kjo për mua do ishte e rëndë, sepse do ishte shuarja e idealeve për zhvillim. Sepse Kosova e asaj kohe, ishe Kosova ime, refleksion i vuajtjeve dhe përpjekjeve të përbashkëta për t’u çliruar e shkuar përpara. Ne s’mund të lejojmë që gjithë brezi, që identifikohemi me padrejtësitë dhe më pas edhe rezistencën, tani aq shpejtë t’i harrojmë këto vlera, për shkak të gabimeve të më pasme të figurave kryesore të rezistencës. Më dhemb lehtësia me të cilën barazohet një “burgim” për korrupsion me një “burgim” për krime lufte. Ose logjika se ky “burgim” është haku për korrupsionin në liri.

    Pajtohem me konstatimin se gjykimi tani në 2020-ën, në Hagë, duhet të shërbejë si një mundësi për të sqaruar gjithë akuzat. Uroj të jetë ashtu. Sepse sado emocional të jemi para gjyqit ka rregulla tjera, vlejnë faktet e akullta, e ata duhet të bindin gjykatësit për drejtësinë.

    Pas kësaj, po këta politikanë e figura le të gjykohen në Kosovë për korrupsionin dhe keqqeverisjen. Por ky do jetë një gjykim tjetër.

    Jam rritur me idenë e të drejtave të njeriut, e përmend në vazhdimësi këtë, sepse ishte baza e ngritjes time si i ri e më pas si profesionist. Do vazhdoj të kem këtë pikëpamje se liria është fryma për gjithçka. Prandaj dhe s’mund ta pranoj që i shtypuri, të akuzohet për të njëjtat veprime të shtypësit. Ky i shtypur kur u çlirua, mbase dhe ka gabuar shumë, dhe duhet me gjasë të marrë leksionet e veta, por jo dënim për periudhën e rezistencës të luftës kundër regjimit serb dhe ish jugosllav. Një dënim për atë periudhë do jetë dëmin për gjithë brezin, që u krijua nga motivi të mposhtë shtypjen dhe pabarazinë dhe që identifikohet si liridashës, demokrat, progresiv dhe mbi të gjitha një herë shqiptar e pastaj çdo gjë tjetër.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark