×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kosova kërkon ndihmë nga rajoni për hetimet e sulmit në Banjskë

    Insajderi
    15 November 2023 - 16:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokuroria në Bosnje e Hercegovinë tha se ka pranuar një parashtresë nga institucionet e Kosovës për të hetuar origjinën e armëve të konfiskuara në Banjskë.

    Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një polic.

    Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Në ditët pas sulmit, policia e Kosovës konfiskoi një sasi të madhe armësh në Banjskë, për të cilat tha se janë prodhim i fabrikave serbe dhe ish-jugosllave.

    Në përgjigjen e Prokurorisë së Bosnjës dërguar REL-it thuhet se “informacionet e disponueshme paraprake tregojnë se nuk bëhet fjalë për armë të mbetura nga lufta në Bosnje e Hercegovinë”.

    “Ndoshta bëhet fjalë për armë të prodhimit më të vonshëm, që nuk janë me prejardhje nga Bosnja. Por, përmes Institutit të bashkëpunimit ndërkombëtar, do të kryhen të gjitha aktivitetet e nevojshme për t’i përcaktuar me siguri të gjitha detajet”, tha Prokuroria e Bosnjës.

    Në Prokurorinë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut thanë se, deri më tash, nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga Kosova për ndihmë në hetime.

    “Nuk e përjashtojmë mundësinë që ndihma e tillë të jetë kërkuar përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme deri te Ministria e Drejtësisë, por në Prokurori ende nuk ka diçka të tillë. Për sa i përket asaj se çfarë ndihme mund të ofrojmë, ne mund të ofrojmë ndihmë për persona konkretë nëse eventualisht kërkohet një gjë e tillë”, thanë nga Prokuroria në Shkup.

    REL-i është në pritje të përgjigjes edhe të Ministrisë së Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, nëse ka pranuar ndonjë kërkesë nga institucionet e Kosovës dhe si ka proceduar tutje.

    Ngjashëm u pyetën edhe institucionet në Mal të Zi, por që nuk dhanë përgjigje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark