Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave sonte do ta zhvillojë ndeshjen e parë eliminatore për Kampionatin Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”, kundër Shqipërisë.
Ndeshja do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 19:00..
Mbrëmjen e djeshme, “Dardanet” nën udhëheqjen e përzgjedhëses Afërdita Fazlija dhe asistenit Veton Çitaku e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit, ku kanë marrë instruksionet e fundit për duelin e sotëm.
Gëzon fakti se të gjitha futbollistet janë në gjendje të mirë dhe të gatshme për përballjen e sotme, derisa atmosfera brenda ekipit dhe optimizmi për nismë të mbarë është i madh.
Pas stërvitjes në deklaratat e tyre për faqen zyrtare Edona Kryeziu dhe Leonora Ejupi kanë treguar respekt për ekipin e Kombëtaren e Shqipërisë, por kanë thënë se duan që këto kualifikime t’i nisin me fitore.