Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbjen e tretë në po aq ndeshje të zhvilluara në kuadër të “Main Round” për kualifikimet e Botërorit 2024 në futsall.
“Dardanët”, të mërkurën në mbrëmje, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit janë mundur nga Ukraina, në kuadër të Grupit 11, me rezultat 5:2.
Kjo ishte humbja e dytë e djelmoshave të drejtuar nga Arben Simitçiu nga ukrainasit, derisa një humbje e kanë pësuar edhe nga Holanda.
Që nga fillimi u vërejt se ukrainasit ishin skuadër më cilësore, teksa shënuan dy gola të shpejtë. Rezultatin e zhbllokoi Ihor Cherniavskyi, në minutën e 5-të, derisa tre minuta më vonë epërsinë e shtoi Yevgen Siryi.
Pas këtyre dy golave, kombëtarja e Kosovës e stabilizoi lojën dhe ishin më kërkues.
Si rrjedhojë, në minutën e 16-të shënuan gol nëpërmjet Drilon Maxharrajt, duke shkuar në pushim në disavantazh 2:1.
Megjithatë, në pjesën e dytë mysafirët sërish u shfaqën të rrezikshëm dhe shfrytëzuan të gjitha rastet e krijuara. Mykola Mykytiuk shënoi për 3:1 në minutën e 27-të, derisa më pas realizuan edhe Artem Fareniuk në të 30-tën dhe Yaroslav Lebid në 33-tën.
E tëra çfarë arritën të bëjnë djelmoshat tanë ishte edhe një gol tjetër në inutën e 34-t, të cilin e realizoi Meriton Salihu.
Pas kësaj humbjeje gjasat e Kosovës për të kaluar t’u kualifikuar tutje zvogëlohen, por matematikisht ekzistojnë ende.
Në fakt, në rast se Kosova fiton në ndeshjen e fundit me Holandën me dy gola epërsi dhe njëherësh Ukraina e mposht Holandën, atëherë tutje kalojnë Dardanët.
“Matematikisht ende nuk është përfunduar asgjë. Nëse Ukraina e mposht Holandën në ndeshjen e radhës, atëherë ne duhet të fitojmë këtu si vendas ndaj holandezëve me dy gola epërsi. Rezultati është pasqyrë e fuqisë së Ukrainës. Ata në katër rastet e para dhanë katër gola. Ne ende duhet të punojmë në shumë aspekte të lojës. Normalisht e uroj Ukrainën për fitoren. Jam pak i zhgënjyer me rezultat sepse kam pritur lojë më të mirë. Brenda javës kam biseduar me djelmoshat që atë motivin ekstra për fitore ta menaxhojnë, por u pa që shumica prej tyre kanë qenë shumë të emocionuar. Sidoqoftë, kjo është një përvojë e madhe për ne dhe duhet të tentojmë që në mars të nxjerrim më të mirën edhe me një përkrahje më të madhe të tifozëve. Ne jemi në një nivel që mundemi ta mposhtim Holandën dhe shpresoj t’ia arrijmë këtij qëllimi”, ka theksuar pas ndeshjes Simitçiu.