Kosova është pranuar si anëtare e Rugby Europe, pas takimit të 103-të gjeneral të këtij institucioni, shkruan Zeri.info.
Lajmi është bërë i ditur nga vet faqja zyrtare e Federatës së Ragbit të Kosovës, në “Facebook”.
Në agjendën e këtij takimi, ndër pikat kryesore ishte edhe votimi i anëtarëve të rinj të Rugby Europe, ku Kosova bëhet anëtare më e re e institucionit më të lartë të ragbit në Evropë.
Postimi i plotë i FRK:
Ngjarje historike!
Kosova pranohet si anëtare e Rugby Europe pas takimit të 103-të gjeneral të këtij institucioni. Në agjendën e këtij takimi, ndër pikat kryesore ishte edhe votimi i anëtarëve të rinj të Rugby Europe ku Kosova, bëhet anëtari më i ri i institucionit më të lartë të ragbit në Evropë.
Ky rrugëtim i yni, ndonëse i vështirë dhe me shumë mund, na ka treguar që gjithçka është e mundur nëse ne punojmë të gjithë së bashku për të arritur qëllimet tona të përbashkëta. Trajnerët, lojtarët, vullnetarët, administratorët, donatorët, prindërit, përkrahësit, tifozët dhe shumë të tjerë, kanë bërë që kjo ëndërr e jona të bëhet realitet.
Falenderimet tona të veçanta shkojnë për Rugby Europe, për ndihmën e vazhdueshme dhe udhëzimin tonë drejt këtij pranimi, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen financiare dhe administrative, Kosovo Olympic Committee për mbështetjen në rritjen e kapaciteteve dhe lehtësimeve drejt pranimit , Kosova Judo Federation dhe Ambassade de France au Kosovo – French Embassy in Kosovo për vizat e delegacionit tonë.
Ndonëse ky lajm na gëzon shumë, në të njëjtën kohe na kujton që ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi shumë të gjatë në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare në mënyrë sa më të denjë.
Ju faleminderit të gjithëve!