×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    KOSTT denoncon publikisht një kompleks banesor në Gjakovë, u ndërtua nën tensionin e lartë

    Insajderi
    12 September 2023 - 16:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike – KOSTT ka denoncuar publikisht një kompleks banesor në Gjakovë.

    KOSTT thotë se kompleksi u ndërtua nën tensionin e lartë, shkruan Insajderi.

    “Ditëve të fundit ekipet e mirëmbajtjes së linjave në KOSTT, pas rënies së linjës 110kV nr. 164/1(L123) që lidhë Nënstacionin Gjakova 1 me Nënstacionin Gjakova 2, e cila u shkaktua nga lidhja e shkurtër, dhe pas inspektimeve në teren kanë konstatuar që linja ka rënë në kontakt me një ndërtesë të paligjshme pranë trasesë së linjave energjetike të tensionit të lartë të KOSTT”, thuhet në reagimin e tyre.

    Për këtë KOSTT thotë se tashmë ka njoftuar inspektoratin komunal të Komunës së Gjakovës.

    Reagimi i plotë:

    Ndërtimet në afërsi të stabilimenteve të tensionit të lartë rrezikojnë sistemin elektroenergjetik të Kosovës dhe sigurinë jetësore

    KOSTT sh.a shpreh shqetësimin e thellë rreth ndërtimeve në afërsi të stabilimenteve të tensionit të lartë të cilat po ndodhin kohëve të fundit dhe të cilat mund të rrezikojnë seriozisht jetën e njeriut si dhe cenojnë integritetin dhe stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.

    Ditëve të fundit ekipet e mirëmbajtjes së linjave në KOSTT, pas rënies së linjës 110kV nr. 164/1(L123) që lidhë Nënstacionin Gjakova 1 me Nënstacionin Gjakova 2, e cila u shkaktua nga lidhja e shkurtër, dhe pas inspektimeve në teren kanë konstatuar që linja ka rënë në kontakt me një ndërtesë të paligjshme pranë trasesë së linjave energjetike të tensionit të lartë të KOSTT.

    Në lidhje me këtë rast i cili cenon zonën e sigurisë, KOSTT ka njoftuar inspektoratin komunal të Komunës së Gjakovës si dhe organet kompetente për të ndërmarr masat e duhura.

    Në vitin 2015, bazuar në kërkesën e parashtruar dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi KOSTT ka lëshuar kushtet teknike për ndërtimin e këtij objektit afarist, megjithatë përkundër Kushteve teknike të lëshuara nga KOSTT sh.a, objekti nuk është ndërtuar në zonën sipas kushteve të lejuara teknike në distancë prej minimum 5 metrave.

    Respektimi i rregulloreve të KOSTT sh.a për zonën e sigurisë është shumë i rëndësishëm për garantimin e sigurisë dhe funksionimit të drejtë të sistemit transmetues të energjisë elektrike.

    Rregulloret e KOSTT sh.a, të cilat bazohen në normat dhe standardet ndërkombëtare, parashohin distancën e sigurisë në të cilën nuk lejohet asnjë ndërtim apo veprim në afërsi, i cili cenon këtë zonë të sigurisë, në mënyrë që të evitohet çdo rrezik eventual.

    KOSTT dënon fuqishëm veprimet e tilla të cilat fillimisht rrezikojnë jetën e njeriut dhe po ashtu cenojnë integritetin e funksionimit të sistemit transmetues të Republikës së Kosovës. KOSTT mbetet i hapur për bashkëpunim dhe zgjidhje të situatës në përputhje me kushtet e lejuara me legjislacionin që rregullon këtë fushë.

    Linjat e KOSTT janë struktura ekzistuese dhe ndërtimet që pasojnë duhet t’i përshtaten kushteve të saj, për të siguruar stabilitet dhe qëndrueshmëri të sistemit elektroenergjitik

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark