×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    ​KOSTT kërkon mjete shtesë për mbulimin e shpenzimeve të rrymës në veri

    Insajderi
    16 December 2022 - 12:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSST javën e kaluar ka kërkuar fonde shtesë nga qeveria për mbulimin e shpenzimeve për energjinë e shpenzuar në pjesën veriore të vendit.

    Kështu ka deklaruar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

    Sipas Rizvanollit çështja e mos pagesës së rrymës në komunat veriore duhet të ketë një zgjidhje, dhe se një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë përjetësisht.

    “ KOSTT ka bërë javën e kaluar ka kërkuar fonde shtesë. Jemi në një kohë kur zgjidhja për çështjen e mos-pagesës dhe mosfaturimit të energjisë elektrike në komunat veriore të Kosovës duhet të ketë një zgjidhje. Ne kemi shpresuar dhe kemi punuar maksimalisht me përkushtimin më të madh si institucione që nga niveli më i lartë në dialog në Bruksel e deri tek institucionet tona si KOSTT, edhe KEDS që të përmbushim të gjitha pikat e marrëveshjes të udhërrëfyesit të nënshkruar në maj të këtij viti për zgjidhjen e këtij problemi. Jemi në një situatë ku pala tjetër ka përmbushur disa prej obligimeve por jo të gjitha, mirëpo kjo situatë nuk mund të vazhdojë përjetësisht kështu e posaçërisht në një kohë të krizës, mirëpo është edhe çështje parimore që qytetarët në gjithë vendin duhet të paguajnë për shërbimet që marrin dhe sigurisht duhet të keni cilësinë dhe shërbimet e duhura”, u shpreh Rizvanolli.

    E lidhur me miratimin e Strategjisë të Energjisë së Republikës së Kosovës 2022-2031, e para e ekonomisë në vend u shpreh se ajo vendos themelet për një sektor të ri energjetik më të pastër dhe efiçient.

    Ajo u shpreh se për grupet e cenueshme të shoqërisë kjo strategji për energji parasheh skema mbështetëse specifike.

    “Është një dokument i cili vendos orientimet afatgjate të zhvillimit të sektorit të energjisë, vendos themelet për një sektor të ri të energjisë më të pastër, më efiçientë dhe një sektor në të cilin qytetarët janë më të përfshirë, një sektor më demokratik ku qytetarët janë më aktiv… Përkrahja e grupeve më të cenueshme siç janë të varësitë, por edhe përfituesit e ndihmës sociale edhe grupet të tjera të cenueshme si pensionistët, nënat vetë-ushqyese do të jenë të privilegjuar në kuptim që do të ketë skema mbështetëse specifike për ta për të siguruar që ata gjithashtu mund të përfitojnë nga tranzicioni energjikë“, theksoi ajo.

    Teksa i ka listuar 5 objektivat strategjike të kësaj strategjie ritheksoi edhe integrimin e tregut dhe bashkëpunimin e resurseve energjetike në Shqipërinë.

    Ndërsa, katër objektivat tjera janë përmirësimi i besueshmërisë së sistemit dhe sigurisë së furnizimit, dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtritshme, rritja e efiçiencës së energjisë dhe fuqizimi i konsumatorëve.

    “Një rëndësi e veçantë i kushtohet integrimit të tregut dhe bashkëpunimit në komunikimit të resurseve energjike me Republikën e Shqipërisë në këtë aspekt hapi i parë e më i rëndësishëm që vjen është funksionalizimi i bursës së përbashkët të energjisë elektrike ‘Alpeks’ gjatë vitit në të cilin po hyjmë dhe gjithashtu siç e dini veçse kemi filluar t’i shqyrtojmë edhe mundësitë për bashkë-investim në një termocentral me gaz natyror në Vlorë, të cilin do ta shfrytëzonim edhe Republika e Shqipërisë dhe Kosovës”, tha ajo.

    Para gazetarëve ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se të gjitha masat që kanë ndërmarrë për luftimin e krizës energjetike janë në përputhje me strategjinë afatgjate 2022-2031.

    “Masat që i kemi ndërmarrë në kuadër të luftimit të krizës janë në fakt edhe në përputhje me strategjinë aftatgjate që do të thotë se çfarëdo investimi që do t bëjmë tani për luftim të krizë ka ndikim pozitiv edhe në afat të gjatë dhe nuk është diçka që do të kthehemi prapa por është një hap i duhur në drejtim të tranzicionit energjetik”, theksoi ajo.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark