
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u marrë me përgatitjet e procesit zgjedhor për katër komunat veriore në vend.
KQZ-ja ka hapur edhe afatet për subjektet e interesuar për të garuar për kryetar në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, si dhe për asamble në Zveçan e Leposaviq.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se deri tani janë certifikuar 11 kandidatë për kryetar dhe 63 për asamble dhe se presin aplikime tjera.
“KQZ-ja, si çdo herë tjetër, mbetet e përkushtuar për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Është në vullnetin e lirë të subjekteve politike që të marrin pjesë ose jo në një proces zgjedhor”, tha Elezi.
Tutje ai ka bërë me dije se KQZ-së, këto zgjedhje do t’i kushtojnë rreth 497 mijë euro nga 556 mijë, sa ishte i planifikuar gjatë procesit zgjedhor të vitit të kaluar.
Zgjedhjet e 23 prillit, fillimisht ishin caktuar të mbahet me 18 dhjetor, por Presidentja e vendit, në koordinim me subjektet politike i ka shtyrë për në prill.
Ndërkohë, gjatë se enjtes, Lista serbe njoftoi bojkotimin në këtë proces zgjedhor.