Vetëvendosje kanë bërë të ditur se në KQZ është marrë vendim që qytetarët të votojnë edhe me letërnjoftim që e ka afatin e skaduar.
Kështu ka shkruar në Facebook, Arlind Manxhuka nga sekretariati për media i LVV-së.
Ai thotë se të gjithë ata që janë në listë të votuesve mund të votojnë edhe nëse e kanë letërnjoftimin me afat të skaduar.
“Njoftim:
KQZ posa mori vendim për lejimin e qytetarëve për të votuar me letërnjoftim me afat të skaduar. Të gjithë ata që janë në listët e votuesve në Kosovë mund të votojnë me letërnjoftim me afat të skaduar”, thotë ai.
Në anën tjetër edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfirmuar për Insajderin se tashmë të gjitha komisionet komunale të zgjedhjeve janë njoftuar se do të lejohet votimi edhe për ata që kanë letërnjoftim me afat të skaduar.
“Sapo i kemi njoftuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve se KQZ ka marrë vendim për lejimin e votuesve që të votojnë me letërnjoftime me afat të skaduar dhe të cilët figurojnë në Listat Përfundimtare të Votuesve”, ka thënë Elezi për Insajderin.